Zinedin Zidane është me një këmbë në stolin e Real Madrid dhe me një këmbë jashtë deri pas ndeshjes së nesërme ndaj Borussia M’Gladbach për Champions League.
Trajneri i Los Blancos doli sot në konferencë për shtyp dhe u shpreh se nuk e mendon aspak eliminimin dhe të luajturin në Europa League. Nëse madrilenët nuk fitojnë nesër rrezikojnë eliminimin nga kompeticioni që e kanë fituar 13 herë.
“Ne e dimë se çfarë duam, të marrim tre pikët dhe përfundojmë të parët në grup. Vetëm këtë kemi në mendje. Të gjitha ndeshjet janë të rëndësishme. Është një mundësi e shkëlqyer për të treguar kush jemi si ekip.
Kritikat ndaj meje? Ajo që ka rëndësi për mua është të mendoj për ndeshjen, t’i bëj gjërat mirë. Ne kemi kapacitetin dhe kjo është ajo që më intereson.
Nuk e mendoj skualifikimin, jemi duke u përgatitur për të luajtur një ndeshje të shkëlqyer, i presim vështirësitë, por duke qenë pozitiv dhe duke menduar vetëm për fitoren. Do bëjmë gjithçka për të marrë tre pikët.
Mendoj vetëm për ndeshjen e nesërme, nuk mendoj aspak për shkarkimin, sinqerisht. Vendimet janë në dorë të klubit. Lojtarët dhe unë jemi mësuar të luajmë nën presion. Nuk mendoj të luaj në Europa League, mendoj të kaloj raundin.
E dimë se Borussia është ekip i mirë dhe i disiplinuar. Janë shumë të mirë në kundërsulm. Është ekip i fuqishëm teknikisht dhe taktikisht. E dimë se do të jetë e vështirë. E dimë se luhet edhe një ndeshje tjetër në grupin tonë, por jemi të interesuar vetëm për tonën”, u shpreh Zidane. /abcnews.al