Xhafaj nga Vlora: Këtë vit zero kultivim të kanabist, opozita shpif

schedule16:22 - 14 Korrik, 2018

schedule 16:22 - 14 Korrik, 2018

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj ishte në Vlorë ku pa nga afër masat për sezonin turistik. Ai tha se opozita ka zgjedhur të shpifë, duke shtuar se të gjithë treguesit e sigurisë janë përmirësuar.

Një javë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në plazhin e Dhërmiut, ku një person terrorizoi festuesit në lokal “Havana”, duke qëlluar disa herë me armë zjarri, ministri Brendshëm Fatmir Xhafaj e pranon që ishte një ngjarje e rëndë dhe po punohet për zbardhjen e saj.

“Është një ngjarje për t’u vlerësuar, sepse është një ngjarje e rëndë.

Nuk më takon mua si Ministër që të ndërhyjë në çështje, hetimore. Padyshim di të them dhe këtë e them me shumë përgjegjësi që policia është shumë e angazhuar për ta zbardhur atë deri në fund edhe përsa i përket elementëve që kanë qenë drejtpërsëdrejti dhe atyre që mund jenë mbrapa personave në fjalë, që mund të jetë i lidhur me një grindje të rastit, apo me një gjë të vjetër, siç janë dhe siç kanë ndodhur rëndom gjëra të kësaj natyre”.

Nga qyteti i Vlorës, Xhafaj bëri të ditur masat e marra për këtë sezon turistik, ku ai dhe dhe kryeministri  Edi Rama janë caktuar për të monitoruar sitatën në pikun e tij.

Gjithë anëtarët e Kabinetit Qeveritar, nga Kryeministri dhe të gjithë kolegët janë shpërndarë gjatë vijës bregdetare me zona të caktuara për efekt të ushtrimit të detyrave të tyre, të asistimit, të monitorimit, të shërbimit që kanë institucionet shtetërore, dhe unë së bashku me Kryeministrin edhe Ministren e Shëndetësisë jemi të caktuar pikërisht në këtë pjesë të zonës turistike”.

Numri një i Ministrisë së Brendshme premtoi se ky vit do të ketë zero kultivim të kanabisit.

“Çdo opozitë natyrisht, nuk ka për detyrë të përkëdheli qeverinë që është në pushtet, por çdo opozitë duhet të jetë e përgjegjshme për atë çfarë bën dhe në atë çfarë thotë dhe në këtë kontekst, motoja që ka sot opozita “Shpif, shpif se diçka do të mbetet” mendoj që është zgjidhja më e gabuar që ka bërë dhe në funksion dhe në mungesë të një alternative serioze dhe të besueshme, por që është edhe një dëm i jashtëzakonshëm që i bëhet, imazhit të vendit, imazhit të qytetarëve dhe vetë imazhit të qytetit të Vlorës”.

Më herët Xhafaj ka inspektuar ambjentet dhe sportelet në portin e Vlorës,ndërsa ka zhvilluar nje takim me dyer të mbyllura edhe me dretues te policise vendore në Vlorë. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!