Sot shënohet 30 vjet nga Lëvizja Studentore e Dhjetorit. Me 8 Dhjetor 1990, rreth 300 studentë marshuan nga Qyteti Studenti drejt qendrës së Tiranës, ku kërkonin pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike. Mëngjesin e kësaj të marte ishin të ftuar në “Abc-ja e mëngjesit” Edmond Budina, Gano Xhengo dhe Arben Sulo, disa nga protagonistët e asaj ngjarjeje, të cilët rrëfyen prapaskenat nga organizimi i lëvizjes si dhe nga takimi me Presidentin e asaj kohe, Ramiz Alinë.
“Lëvizja studentore shpërtheu me 8 Dhjetor dhe për mendimin tim lëvizja për demokraci nisi pak më heët që nga hapja e dyerve të ambasadave, më pas në Kavajë, heqja e bustit të diktatorit në Shkodër dhe më pas në 8 shpërtheu lëvizja studentore. Është dhe më e gjerë si fillesë.”, u shpreh Xhengo. Më tej, Sulo duke kujtuar ngjarjet e asaj kohe u shpreh se protesta e studentëve ishte një shkëndijë që nxiti revoltën popullore dhe se nuk kishin përgatitur asnjë skenar por gjithçka ishte spontane.
“Kishte kohë që ziente, kishte patur dhe lëvizje më të vogla të një karakteri ekonomik që në prill të 1990 ku ka qenë protagonist fakulteti jonë. Ishte një situatë që po vinte dhe po përgatitesh dhe si të thuash mungonte një shkëndijë që të aktivizonte barutin, masën eksplozive. Nuk isha rastësisht aty, në kuptimin që të gjitha mini lëvizjet, gjërat që kishim bërë kam qenë aktiv ashtu dhe sikurse dhe e protagonistë vetë lëvizjes studentore. Gjithsesi atë natë shumica prej nesh nuk e dinim se çfarë do të bëhej, kur dolëm nuk është se kishim një synim dhe të takonim Ramiz Alinë.”, u shpreh Sulo.
Ndërkaq, Budina shtoi: “Atë natë shkuam tek Ramiz Alia, ishte e incizuar dhe do të transmetohej. Kërkesat ndryshonin dita ditës, nuk ishte një gjë e organizuar dhe e menduar mirë. Pas takimit me Ramizin me Gramoz Pashkon, erdhi dhe Azem Hajdari dhe Saliu u mblodhëm tek shtëpia e Pashkos për të bërë programin minimal të partisë. Dhe bëmë programin minimal të Partisë Demokratike.”, u shpreh Budina. /abcnews.al