Shpyllëzohet kurora e gjelbër e Drenovës, banorët denoncojnë prerjen e paligjshme

schedule15:28 - 14 Korrik, 2018

schedule 15:28 - 14 Korrik, 2018

Banorët e Drenovës kanë denoncuar në media prerjen e paligjshme të pishave në masivin pyjor. Sipas tyre individë ende të paidentifikuar nxjerrin fitime duke masakruar pyjet. Banorët pretendojnë se as inspektorët e pyjeve dhe as policia nuk kanë marrë masa për të ndaluar këtë fenomen. 

Masivi pyjor i Drenovës po kthehet në tokë të shkretë.

Prerjet e paligjshme dhe pa kriter vazhdojnë, duke shpyllëzuar kurorën e gjelbër. Edhe mbi fshatin Mborje, situata është e ngjashme.

Trungje pishash 50 vjeçare të rrafshuara, që të krijojnë më tepër përshtypjen e një fushe drush, se sa të një pylli.

Vendasit e kanë të pamundur ta shfrytëzojnë pyllin, ndërsa individë të tjerë, nxjerrin fitime duke e masakruar.

Banorët e Drenovës dëshmojnë se çdo natë shohin mjete të ngarkuara me lëndë drusore, që zbresin faqes së Moravës. Alarmi i banorëve nuk është vlerësuar as nga inspektorët e pyjeve, as nga policia.

Së fundi, 107 familje drenovare i janë drejtuar me një letër kryeministrit të vendit.

Masivet me pisha të njësisë administrative Drenovë, pas ndarjes së re territoriale i kanë kaluar për menaxhim bashkisë së Korçës. Si bashkia ashtu edhe Inspektoriati i pyjeve, nuk kanë marrë masa për reduktimin e prerjeve të paligjshme. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!