Anglia e Belgjika premtojnë se do të japin maksimumin për vendin e tretë në Botëror

schedule12:51 - 14 Korrik, 2018

schedule 12:51 - 14 Korrik, 2018

Anglia dhe Belgjika luajnë sot finalen e vogël të Botërorit. Të dyja skuadrat janë të zhgënjyera, por premtojnë se do të japin maksimumin për vendin e tretë

Lodhja është rraskapitëse, por duhet bërë edhe një sforcim.

Anglia dhe Belgjika janë në sprovën e fundit në Kupën e Botës, për fat të keq jo në finalen e madhe, por në atë të voglën.

Do të luajnë për vendin e tretë.

Dy ekipe shumë të fortë, ndër më të mirët në rruzull, shpresojnë të lenë pas zhgënjimin e gjysmëfinaleve të humbura, edhe pse dihet se në fund do të gëzohet vetëm njëra palë.

Thënë kjo, duhet shtuar se do të ketë disa ndryshime.

Trajneri i Anglisë, Sauthgejt, ka lojtarë me probleme fizike si Tripier, Henderson apo Uolker.

Ai premton maksimumin, por paralajmëron edhe rotacionin.

Sauthgejt: Kanë qenë dy ditë të vështira për ne, pasi ishim 20 minuta larg finales së Kupës së Botës. Gjithsesi, lojtarët e mi kanë qenë të pabesueshëm dhe jam krenar që punoj me ta. Ata duan ta mbyllin me sukses këtë turne, një detyrim që e kemi ndaj vetes tonë, por sidomos ndaj publikut anglez. Ne i bëmë ata krenarë, por duhet ta bëjmë këtë deri në fund. Natyrisht, ndaj Belgjikës, nuk do të jetë i njëjti formacion si ndaj Kroacisë, por duam të bëjmë sa më pak ndryshime që të jetë e mundur”.

Belgjika nuk do të ketë asnjë mungesë potenciale, pasi mbrojtësi Mënier u kthye nga pezullimi, por ndryshimet nuk do të mungojnë.

Trajneri Martinez pyetet se çfarë dhurate kërkon për ditëlindje.

“Është shumë e lehtë t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje, – tha ai, – Ne duam që të fitojmë. Vendi i tretë ka rëndësi, edhe për faktin se në një turne të madh, kushdo mban mend më shumë ndeshjen e fundit. Çdo tifoz belg e meriton ta ketë këtë ndjesi në kujtesën e tij. Anglia është një skuadër shumë e shpejtë, shumë dinamike. Është shumë e rrezikshme në goditjet standarde, prandaj duhet të jemi të kujdesshëm dhe të japim maksimumin”. /abcnews.al