Ferhan Hasani një nga lojtarët shqiptarë më të mirë në Maqedoninë e Veriut është pa kontratë dhe Tirana po bën maksimumin për ta bindur të firmosë me bardheblutë.
Së fundmi 30-vjeçari i njohur si “Buba” është prononcuar për “Panorama Sport”, ku pranon se është në bisedime me Tiranën, por shton se bardheblutë nuk janë të vetmit që kanë bërë ofertë drejt tij.
TRATATIVAT – “Po, u bënë disa ditë që ka pasur bisedime me klubin kampion në Shqipëri. Jo unë personalisht, por menaxheri im. Mund të them se po shkojnë normalisht, por nuk mund të flas më tepër, sepse është menaxheri ai që ka kontaktet me drejtuesit e klubit”.

KATEGORIA SUPERIORE – “Gjithnjë e kam thënë se kam dëshirë që në një moment të karrierës sime do të doja të luaja në kampionatin shqiptar. Por nuk e di nëse është ky momenti i duhur. Të presim dhe të shohim. Unë jam lojtar i lirë.
PROPOZIMET – “Po, kam edhe disa oferta të tjera. Madje prioritet në këtë moment janë disa klube në perëndim, ose larg në Azi, por të shohim. Unë do të vlerësoj me kujdes të gjitha ofertat dhe në fund do të zgjedh atë që është më e mira për mua”.
LEXO EDHE: Ferhan Hasanin e lajnë në ar, zbulohet super oferta nga Superiorja
TIRANA – “E ndjek kampionatin shqiptar rregullisht. Kam miq e shokë te Tirana e Partizani. E di se Tirana është ekipi kampion, ka pasur 2-3 largime, por bazën e ka ende të vitit të shkuar.

Kjo do të thotë se ka cilësi. Unë mendoj se ëshëtë një ekip i mirë. A është Tirana për titullin? Padyshim, janë kampionët në fuqi dhe mendoj se kanë potencial të mirë”.
120 MIJË EURO OFERTË? – “Nuk dua të diskutoj terma financiare publikisht. Di që ka ardhur oferta e parë financiare, por po diskutohet ende. Kaq, për të tjerat merret menaxheri”.
Nuk e di nëse do arrij marrëveshje me Tiranën. Sot për sot janë i vetmi klub nga Shqipëria që më kanë bërë ofertë. Po e vlerësoj me seriozitet dhe të shohim si do shkojë”, u shpreh Hasani. /abcnews.al

