Trump kërcënon, Gjermania reziston – Po përçahet NATO?

schedule08:14 - 13 Korrik, 2018

schedule 08:14 - 13 Korrik, 2018

Ditën e parë të samitit të NATO-s në Bruksel partnerët ranë në ujdi për një deklaratë të përbashkët. Të enjten presidenti Trump kërcënoi hapur me pasoja, nëse partnerë si Gjermania nuk do të paguajnë menjëherë më shumë.

Megjithë presionin masiv nga presidenti amerikan Trump në samitin e NATO-s në Bruksel, Gjermania nuk premton përfundimisht rritje masive të shpenzimeve gjermane për mbrojtjen. Gjermania në kuadër të këtij debati “mund të pyesë veten, sa mund të bëjmë më shumë”, tha Merkel, por ajo theksoi se Gjermania ndërkohë është vendi i dytë me kontigjentin më të madh të trupave në NATO dhe prej vitesh angazhohet në Afganistan.

Pas ditës së parë të samitit dyditor që zhvillohet në Bruksel normaliteti në aleancën transatlantike nuk po kthehet aq lehtë. Të enjten në ditën e dytë të samitit të NATO-s, presidenti amerikan kërcënoi hapur me pasoja, nëse partnerë si Gjermania nuk do të paguajnë menjëherë, thonë diplomatët. Trump ka kërcënuar me veprime unilaterale të amerikanëve, ata do të shohin punën e tyre, nëse partnerët nuk do të paguajnë menjëherë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen. Njoftimi vjen nga agjencia e lajmeve dpa, që i referohet disa burimeve.

NATO vendosi shpejt për një takim të posaçëm pas kërcënimeve të Trumpit. Merkel bëri fjalë për “samit shumë intensiv” dhe “diskutime shumë serioze”. Ajo nuk komentoi zërat se Trump për shkak të shpenzimeve të pakta për mbrojtjen, ka kërcënuar me daljen nga NATO. “Mund të përmbledh se cili është rezultati”, tha Merkel. “Miratim për NATO-n, dhe gatishmëri të qartë të të gjithëve të japin kontributin e tyre për shkak të gjendjes së ndryshuar të sigurisë.”

Çfarë mund të ndodhë?

Pas deklaratave të Trumpit, 29 anëtarët e aleancës janë ulur në një takim të posaçëm në Bruksel. Nëse Trump e ka seriozisht me këtë kërcënim, ende nuk dihet. Teorikisht mendohet një reduktim i angazhimit të  SHBA në NATO, në rastin më ekstrem edhe prishja e plotë, tërheqja e amerikanëve nga aleanca transatlantike.

Në samit Gjermania ka refuzuar të bëjë premtime të gjera për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes. Qeveria gjermanë kërkon të japë vetëm 1,5% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen deri në vitin 2024. Kjo është për Trumpin tërësisht e pamjaftueshme. Ai ankohet për një shpërndarje të padrejtë të barrës në aleancë. Sipas prognozave vetëm Greqia, Polonia, Rumania, e Lituania, Letonia, Estonia do të arrijnë plotësimin e kriterit për shpenzime 2% për mbrojtjen në vitin 2018.

Dita e parë e samitit me grindje dhe shpresa

Të mërkurën, në ditën e parë të samitit, presidenti amerikan Donald Trump sulmoi Gjermaninë duke e quajtur një vend të kthyer në “robe të Rusisë”, që kërkon që SHBA ta mbrojë nga Rusia, por jep miliarda për gaz në Rusi. Por ai nuk i vuri pikëpyetje aleancës transatlantike. Madje nga qarqet franceze u dëgjua, se ai bëri propozime vërtet konstruktive dhe pozitive në samit. Burime britanike thanë, se Donald Trump madje u shpreh pozitivisht për Europën. “Kishim diskutime, kishim diferenca mendimi”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i lehtësuar.

Në fund të mërkurën (11.07) pati një ujdi, krerët e qeverive dhe vendeve anëtare janë dakord të shpenzojnë 2% të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen./DW

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!