Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, ka denoncuar sërish atë që e quan plan mafioz të dyshes Rama – Veliaj për grabitjen e pronës publike, ku sot ndodhet Teatri Kombëtar. Sipas selisë blu, ky plan mafioz ka filluar zbatimin e tij prej vitit 2013, kur përmes një vendimi të Këshillit të Ministrave është vendosur përgjysmimi i çmimit të tokës e cila sot po i falet nje kompanie private si Fusha SH.P.K për ndërtim.
Jorida Tabaku: “Skema mafioze e Edi Ramës për të marrë tokën tek Teatri është e vjetër, e mirëmenduar dhe e vënë në funksionim pas marrjes së Bashkisë nga Erion Veliaj. Sapo Fusha shpk u bë pronar i një pjese toke pranë zonës së Teatrit, qeveria e Edi Ramës ka përgjysmuar çmimin e vlerës së truallit në Qendrën Historike, në zemër të kryeqytetit. Në vitin 2016, vit kur Fusha u bë pronar, Edi Rama e zhvlerësoi pronën nga 1 milionë e 200 mijë lekë për m2 që ishte në vitin 2012 në më pak se 670 mijë lekë të vjetra për m2. Por mafies Rama-Fusha- Veliaj as kjo nuk i mjafton. Tani kanë nisur të kërcënojnë pronarët e ligjshëm, të cilët nuk duan t’ua shesin pronën me një çmim qesharak një kompanie, prapa të cilës qëndron kryeministri i vendit, i cili llogaritet të fitojë jo më pak se 205 milionë euro nga kullat që ka planifikuar të ndërtojë për pastrimin e parave të pista të drogës dhe korrupsionit. Plani mafioz i Edi Ramës ka edhe një aspekt tjetër skandaloz! Ligji i miratuar në parlament i fal Fusha shpk 2100 metra2, pronë e Bashkisë së Tiranës, në kundërshtim me ligjin për qeverisjen vendore. E vetmja mënyrë që Erion Veliaj t’ia japë këtë pronë është ta tjetërsojë me vendim në Këshillin Bashkiak. Çdo akt i ndryshëm nga ky çon në burg këdo që merr përsipër të falë pronat e qytetit tek kompania private e kryeministrit, përfshirë edhe vetë kryetarin e bashkisë Erion Veliaj”! /abcnews.al