Rusi 2018, gazetari drogohet dhe më pas grabitet

schedule10:28 - 10 Korrik, 2018

schedule 10:28 - 10 Korrik, 2018

Vazhdimisht janë raportuar nga Rusia disa raste, ku gazetarët, sidomos ato femra janë ngacmuar seksualisht gjatë raportimeve live. Por këtë herë fati i keq ka qenë me një gazetar, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, që mbulon Kupën e Botës Rusi 2018.

Mediat kanë raportuar rastin, ku ai u drogua dhe më pas u vodh pasi kishte hipur në një taksi. Ngjarja ka ndodhur të premten, kur gazetari kishte kërkuar një taksi në qendër të Moskës.

Sipas mediave ruse, ai ka pirë kafe, të ofruar nga dy persona në taksi. Më pas ka humbur ndjenjat. Kur erdhi në vete, gazetari pa se ishte lënë në veri të kryeqytetit rus.

Gjithashtu, kur u zgjua, ai kuptoi se i kishin grabitur celularin, kartat e bankës si dhe 500 paund që kishte me vete. Gazetari e denoncoi rastin në polici, ku oficerët gjurmuan “taksinë” , e cila më vonë rezultoi të ishte e palicensuar.

Në lidhje me ngjarjen janë arrestuar dy persona në të 30-tat, që besohet se e kanë pranuar që e droguan dhe vodhën gazetarin. Nëse ata shpallen fajtorë mund të përballen me një dënim deri në 5 vjet burg.

Ndërkohë, sipas mediave ruse, BBC e ka konfirmuar incidentin për një agjenci lajmesh dhe gjithashtu kanë pohuar se gazetari vazhdon punën normalisht./abcnews.al