Me thirrjen e kupolës së UÇK-së në Hagë, në Shqipëri u hap një debat politik mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës lidhur me masakrën e Krushës dhe “Shtëpinë e Verdhë”, ku lideri demokrat akuzohet nga kryeministri për rolin e tij në kohën që ishte pjesë e UNMIK-ut.
Por çfarë mendon publicisti Veton Surroi për qasjen e Shqipërisë ndaj asaj që po ndodh aktualisht në Kosovë? I ftuar në Radarin Informativ në “ABC”, Surroi u shpreh se kjo periudhë ballafaqimi me të kaluarën nuk duhet të shfrytëzohet për qëllime dhe hesape politike.
Lexo edhe: Iu hoq titulli i nderit, Veton Surroi për ABC: U befasova, si gjykimet politike të komunizmit
Pjesë nga intervista
Mendoni se në këtë situatë të tensionuar të Kosovës dhe si po qaset Shqipëria pas thirrjes në Hagë të liderëve të UÇK-së, do të fillojë dhe do të kemi shumë keqkuptime të kësaj natyre apo luftëra të tilla të vogla personale me individë konkretë në të ardhmen?
Nuk e di, por ideja që një këshill bashkiak merret me historinë, besoj se nuk e ndihmon historinë dhe as këshillin bashkiak. Mendoj se është me rëndësi me qenë se do të kemi një periudhë të ballafaqimit me të kaluarën të mos shfrytëzohet për qëllime dhe hesape politike. Në Shqipëri është nxitur një atmosferë që do të identifikojë gjoja shkaktarët e gjykimit dhe gjykatës speciale, mendoj se nuk i bën nder as forcave politike në Shqipëri, as mbarëvajtjes, as idesë së ballafaqimit me të kaluarën me të cilën do të afrohemi dhe jo do të largohemi. Do të bashkëdyzojmë mendimin dhe të krijojmë një histori transformative të vetën dhe jo një histori konfrontimi të vazhdueshme.
Më jep një opinion, cfarë pritet që të ndodhë në Kosovë dhe si e gjykoni atë që po ndodh me luftën e UÇK-së , por edhe liderët që ndodhen në Hagë, ka pasur nga ata faktorë që e kanë vendosur gishtin si liderët e Kosovës e kanë trajtuar njëri tjetrin, pak mbështetje dhe shumë përçarje?
Cfarë do të ndodhë në Kosovë nuk mund të them, por mund të them se është koha kur partitë, duhet të krijohet një legjitimitet i ri politik për t’u ballafaquar me të gjitha problemet, pandeminë, efektet ekonomike, krizën politikë të shkaktuar nga gjykata Speciale, efektet politike që do të kenë negociatat me Serbinë dhe në këtë proces të ballafaqimit me të kaluarën, nuk mund të kemi kryetar bashkishë që e shndërrojnë veten edhe në akademikë, prokurorë, gjykatës, historinë dhe cdo gjë tjetër. Duhet pak më shumë maturi në Kosovë, në Shqipëri duhet më shumë angazhim për bashkim mendimesh dhe jo për konfrontim.
db/Abcnews.al