Nis vaksinimi kundër gripit i edukatoreve dhe arsimtarëve, grupet që përfitojnë të parët

schedule13:18 - 27 Nëntor, 2020

schedule 13:18 - 27 Nëntor, 2020

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka nisur sot programin e vaksinimit kundër gripit falas për të gjithë edukatoret dhe arsimtarët në të gjithë vendin. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ishin sot në kopshtin 36 në Tiranë, ku u krye vaksinimi i stafit.

“U angazhuam që në krye të herës për të siguruar vaksinën ndaj gripit për grupet e riskuara dhe arritëm që ta 4-fishonim sasinë e dozave të vaksinës për këtë vit, për të siguruar një barrierë më të mirë mbrojtëse për të gjithë grupet e riskuara dhe sot nisim programin e vaksinimit në komunitet, pranë vendit të punës, për të gjithë edukatore dhe arsimtarët në të gjithë vendin”, tha Manastirliu.

Duke theksuar rëndësinë e vaksinimit kundër gripit në këtë periudhë të mbivendosjes edhe të virozave stinore, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh:

“Edhe 230 mijë doza të vaksinës kundër gripit falas që kanë mbërritur dy ditë më parë janë shpërndarë në qendra shëndetësore, pjesë e sasisë prej 380 mijë vaksinash që qeveria i financoi falas, për të siguruar vaksinimin e sigurt të të moshuarve, të sëmurëve kronikë dhe grupet e tjera të riskut, mes të cilave edhe një kategori e ndjeshme për ne siç janë edukatoret dhe arsimtarët. Eshtë një moment i rëndësishëm për të kujtuar edhe njëherë të gjithë qytetarët që janë në grupet e riskut, për t’u lidhur me mjekun e familjes dhe për të bërë vaksinën kundër gripit falas në qendrën tuaj shëndetësore”, tha Manastirliu.

Duke e konsideruar vaksinimin kundër gripit edhe një ushtrim të mirë parapërgatitor për vaksinën antiCOVID, Manastirliu tha se Shqipëria është në linjën e parë për ta patur vaksinën kundër COVID19 sapo ajo të dalë.

“Jemi duke punuar për të siguruar të gjithë investimet e nevojshme dhe trajnimin e stafit për vaksinën antiCOVID. Qeveria shqiptare është angazhuar nëpërmjet instrumentit COVAX dhe ka parapaguar 3.9 milion dollarë për të siguruar vaksinën antiCOVID për grupet e riskuara, për 20% të popullatës. Jemi duke punuar edhe me Komisionin Europian, por edhe me disa shtete të veçanta të Bashkimit Europian, për të mundësuar që në momentin që vaksina të jetë e disponueshme, Shqipëria të jetë në një linjë me vendet e tjera, për ta patur vaksinën e sigurt, efektive dhe falas për të gjithë qytetarët”, tha Manastirliu.

Prej muajit shtator ka nisur në të gjithë vendin vaksinimi kundër gripit falas i personelit shëndetësor dhe kategorive të tjera të rrezikuara, duke filluar nga fëmijët 0-5 vjeç, të sëmurët kronikë, të moshuarit mbi 65 vjeç, gratë shtatëzëna, edukatoret dhe arsimtarët./mv.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!