Angli-Suedi, vetëm një biletë për gjysmëfinale

schedule14:23 - 7 Korrik, 2018

schedule 14:23 - 7 Korrik, 2018

Anglia jepet favorite për të fituar ndaj Suedisë në çerekfinalen e sotme të Botërorit, në orën 16:00. Gjithsesi, skandinavët janë tepër të rrezikshëm.

Do të kërkojë t’ia dalë për herë të parë në gati 30 vjet.

Anglia ka qenë së fundmi në gjysmëfinale të Botërorit në 1990 në Itali, ndërsa mund ta arrijë sërish sot, në ndeshjen çerekfinale ndaj Suedisë në orën 16:00 në Samara.

Anglia jepet favorite, veçse trajneri i saj, Gareth Southgate, nuk dëshiron t’i dëgjojë parashikimet.

“Suedia është një skuadër shumë e fortë, – u shpreh Sauthegejt, – jam ndeshur shpesh ndaj saj dhe ka lojtarë më të mirë sesa shumë njerëz mendojnë. Në eleminatore, Suedia mundi Francën, eleminoi Italinë, pastaj eleminoi edhe Gjermaninë, ndaj meriton respektin maksimal. Duhet të luajmë shumë mirë nëse duam që të fitojmë”.

Harry Kane nuk deshi të fliste për Këpucën e Artë.

“Jemi shumë mirë deri tani dhe duam të vazhdojmë, – tha kapiteni, – në të vërtetë, nuk mendoj për Këpucën e Artë, nuk i dihet si shkon. Mendoj së pari të ndihmoj skuadrën”.

Anglia ka shqetësime për dëmtimet e Dele Alli-t, Ashley Young-ut dhe Kyle Walker-it, por besohet se ata do të jenë gati, ndërsa më e vështirë duket gjendja e sulmuesit Jamey Vardy.

Suedisë nuk i jepen shumë shanse, por skandinavët nuk duan t’ia dinë.

Trajneri Jane Anderson jo më kot thekson se “dikur, një trajner thoshte për ne, se jemi shumë të lehtë për t’u analizuar, dhe shumë të vështirë për t’u mundur”.

Anderson pohoi se kjo është e vërteta.

Për më tepër, bilanci është në favor të nordikëve, që kanë humbur vetëm 1 nga 8 ndeshje zyrtare ndaj anglezëve, edhe pse Anderson nuk i jep statistikave shumë rëndësi.

Suedisë i mungon vetëm një lojtar, Lustig, i pezulluar.

Bilanci mes dy skuadrave në total është thuajse i barabartë, ndërsa çerekfinalet kanë qenë më të suksesshme për suedezët sesa për anglezët./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!