Klosi: Plazhet janë më të pastra se më parë

schedule20:47 - 6 Korrik, 2018

schedule 20:47 - 6 Korrik, 2018

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, ishte i ftuar në “Byro Politike” ku foli rreth sezonit turistik dhe situatës së mjedisit.

Sipas ministrit Klosi, plazhet shqiptare janë më të pastra se një vit më parë.

“Plazhet shqiptare dhe brigjet e lumenjve janë shumë më të pastra se një vit më parë. Patjetër që nuk është aty ku duhet, por është më pastër se më parë. Kur bie shumë shi unë shpesh ndihem keq se po të jetë një moment përmbytje prapë shtratet e lumenjve mund të shtohen në një ndotës të madh të mjedisit, pasi kemi zyrtarisht qendra banimi që e konsiderojnë lumin si vend depozitimi mbetjesh”, tha Blendi Klosi.

Gjithashtu ministri i Mjedisit dhe Turizmit shtoi se ka besim se nëse do të ketë bashkëpunim, Shqipëria do të jetë vendi më i pastër në rajon në vitin 2020.

“Ndihem besimplotë që nëse do kemi bashkëpunim me të gjitha bashkitë dhe komunitetin ne mund t’ia dalim që Shqipëria në 2020 mund të jetë më i pastri në rajon. Strategjia është shumë e qartë. Nëse ne ndërhyjmë në këto ndotës, si qeset plastike, gurore, miniera, etj që të mos jenë të vendosura pranë qendrave të populluara kjo mund të arrihet”, tha ai.

Blendi Klosi tha gjatë emisionit se janë shtuar turistët pasi sezoni turistik këtë vit ka nisur më herët. Ai gjithashtu renditi disa problematike në lidhje me plazhet si siguria dhe pastërtia./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!