Hije skandali kanë rënë mbi Misionaret e Bamirësisë, shoqata e themeluar nga Nënë Tereza në Indi. Policia vendase ka arrestuar disa punonjëse, të cilat akuzohen për shitje të paligjshme të fëmijëve.
Tre punonjëse të Misionareve të Bamirësisë, shoqata e themeluar nga Nënë Tereza në Indi, janë arrestuar nga policia e këtij vendi nën akuzën e shitjes së fëmijëve. Duke bërë të ditur lajmin, autoritetet lokale kanë deklaruar se disa të mitur, mes të cilëve një djalë vetëm 14-ditësh, janë shitur ilegalisht nga qendra me bazë në qytetin Rançi.
Gjatë operacionit të arrestimit, agjentët kanë sekuestruar edhe 2 mijë e 150 dollarë para të thata, që dyshohet të jenë përfituar nga shitja e të miturve. Laureatja e Çmimit Nobel, që ndërroi jetë në vitin 1997, themeloi Misionaret e Bamirësisë në vitin 1950. Shoqata ofron strehim, ushqim dhe shkollim për fëmijët e braktisur dhe gratë shtatëzëna të pamartuara, por pas ndryshimeve ligjore të shtetit indian nuk trajton më raste adoptimesh.
Shitja ilegale e fëmijëve tek çiftet është një praktikë e njohur në Indi, e nxitur pjesërisht edhe nga ligjet e ashpra dhe koha e gjatë që duhet për procedurat e adoptimit. Gjatë periudhës mes viteve 2015-2016, atje pati vetëm 3 mijë e 11 adoptime të ligjshme, nga 12 mijë kërkesa në total./abcnews.al