Një kamp emigrantësh në Paris është shkatërruar me forcë nga policia franceze. Mediat e huaja bëjnë me dije se gjatë këtij aksioni policia është përballur me akuza për përdorim “skandaloz” të forcës së tepruar.
Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, shkroi në Twitter se disa nga skenat ishin “tronditëse” dhe urdhëroi policinë të siguronte një raport të plotë mbi veprimet e tyre.
Emigrantët e pastrehë thonë se janë të detyruar të jetojnë në rrugë. Kampi i ri u shfaq një javë pasi policia kishte shkatërruar një kamp më të madh, të paligjshëm të emigrantëve, pranë stadiumit kombëtar francez në Parisin verior.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka miratuar një politikë të ashpër ndaj emigrantëve të parregullt, shumë prej të cilëve, përmes Francës e shohin destinacionin e tyre përfundimtar Mbretërinë e Bashkuar.
Vendet evropiane që nga viti 2015 janë përballur me rritje të numrit të emigrantëve kryesisht për shkak të luftës në Siri dhe konflikte të tjera. Shumë azilkërkues ende jetojnë në kushte të pasigurta në Evropë, të pastrehë dhe të papunë./abcnews.al