Shtimi i rasteve me Covid ka identifikuar një problematikë të re në rrethin e Elbasanit.
Në spitalin e Elbasanit ka vetëm një skaner që duhet të përmbushë nevojat e më tepër se 400 mijë banorëve të kësaj zone, ku tashmë, përveç të sëmurëve me diagnoza të tjera duhet të marrin shërbim edhe të sëmurët me koronavirus.
Në këtë spital duhet të trajtohen gjithashtu edhe të sëmurët që vijnë nga Peqini, Librazhdi dhe Gramshi, pasi spitalet e këtyre qyteteve nuk kanë skaner.
Prej muajsh Shqipëria është e prekur nga pandemia e Covid-19, por situata me spitalet bashkiake në qarkun e Elbasanit lë për të dëshiruar. Nga një vëzhgim i thjeshtë i bërë nga ABC, në spitalet e Librazhdit, Gramshit dhe Peqinit, vihet re se mjetet për të kryer diagnostifikimit të Covid-19 nëse nuk kryejnë tamponin, siç është skaneri, mungojnë.
Përgjigja e vetme është se skaneri ndodhet vetëm në qytetin e Elbasanit. 450 mijë banorë të qarkut të Elbasanit kanë vetëm një skaner përmes të cilit mund të dignostifikohen nëse janë të prekur ose jo nga Covid.
Erald Gripshi, mjek i urgjencës së spitalit Peqin thotë se të gjithë pacientët me Covid i dërgojnë në Elbasan.
“Rastet që janë të konfirmuara me tampon, ndiqen nga mjeku i familjes në shtëpi, vetëm nëse gjendja rëndohet telefonohet 127. Në urgjencë bëhet triazhimi ku janë infermierët e përcaktuar posaçërisht për tu marrë me këta pacientë. Po të kishim skaner do e lehtësonim punën, shumë pacientë me covid pas disa ditësh paraqesin komplikacione në mushkëri dhe është e nevojshme ekzaminimi me skaner….”, është shprehur mjeku.
Fakti që në zonën e Elbasanit ka vetëm një skaner ka bërë që në spitalin e këtij qyteti të krijohen radhë pritjeje të pacientëve që kanë nevojë për diagnostifikim.
Në konfidencë mjekë e qytetarë kanë konfirmuar gazetarit të ABC Aldo Kozarja se në disa raste ata mund të presin me javë për të kryer diagnostifikimin.
Porse për rastet urgjente me Covid apo edhe sëmundje të tjera, procedurat përshpejtohen./abcnews.al