Dje Barcelona bëri me dije se Gerard Pique ka dy dëmtime në ligamente dhe do të jetë jashtë fushave për një kohë të gjatë, duke mos përjashtuar edhe mbylljen e parakohshme të sezonit.
Pas kësaj në Barcelonë lind nevoja e të arsyetuarit për të blerë një tjetër qendërmbrojtës. Aktualisht Barcelona ka tre qendërmbrojtës në dispozicion: Lenglet, Araujo dhe Umtiti.
Ky i fundit pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar në infermieri, ndërsa Araujo është ende i ri dhe jo i gatshëm të marrë përgjegjësi të mëdha në difensivën e Ronald Koeman.
Në këto kushte Barcelonës i duhet një qendërmbrojtës, por mbërritja te ai duket shumë e vështirë. Klubi aktualisht është me presidencë të përkohshme dhe drejtuesit e kanë të pamundur të shpenzojnë para.
Presidenti i ri shpallet më 24 janar, vetëm një javë para se të mbyllet merkatoja. Në këto kushte Barcelona duket se do duhet të bëjë me ekipin aktual deri në verë. /abcnews.al