Një shtetas shqiptar që vite më parë kreu shërbimin ushtarak në Itali kërkon pajisjen me nënshtetësi italiane. I përballur prej vitesh me burokraci gjyqësore, avokatët e tij do ta depozitojnë çështjen në Gjykatën e Strasburgut.
Një shtetas shqiptar, sot 40 vjeç, në vitin 1995 ka bërë gabimisht shërbimin ushtarak në Itali dhe që prej atëherë ka nisur një betejë ligjore për t’u pajisur me nënshtetësi italiane. Armando Panariti mbërriti në Pulia të Italisë në vitin 1991, duke zbarkuar në Brindizi me prindërit dhe 27 mijë shqiptarë të tjerë. Familja e tij u vendos në provincën e Tarantos ku Armando, asokohe adoleshent, nisi të ndjekë shkollën dhe më pas të punojë. Më pas ai u thirr në ushtri pavarësisht se ishte shtetas shqiptar dhe vetëm në përfundim të shërbimit autoritetet konstatuan gabimin. Në vijim atij iu dorëzua një urdhër largimi nga Italia pasi ishte i papunë dhe për rrjedhojë nuk mund të pajisej me lejen e qëndrimit. I mbështetur nga avokatët Rafael Maskolo dhe Masimo Santoro, 40-vjeçari, që aktualisht jeton në Tiranë ndërsa familja e tij në Itali ka bërë kërkesë për nënshtetësi italiane. Në ditët e ardhshme, përfaqësuesit e tij ligjorë do të dorëzojnë një apel edhe pranë Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. /abcnews.al