Megjithëse Komiteti i Ekspertëve, ndalon grumbullimin e 10 personave për aktivitete artistike, kjo nuk e ka penguar artistin Edison Çeraj që të çelë ekspozitën” Ngjyrosje”.
Pjesëmarrësit, ishin më të shumtë në numër, por ata respektuan distancën dhe numrin, duke i lënë radhën njëri – tjetrit.
Mesazhi i hapjes, nuk ishte rebelizëm, as kapriço e piktorit, por domosdoshmëri që jeta të vazhdojë edhe në këto kushte, pasi mbyllja totale sipas Edison Çerajt, do sjellë efekte të tjetra.
“Ne duhet të vazhdojmë. Nuk kemi zgjidhje tjetër pasi mund të kalojmë nga shiu në breshër. Nëse bllokojmë vetveten mund të jemi përballë një rreziku më të madh siç mund të jetë raporti jonë mendor, raporti me njëri-tjetrit. Natyrisht, situata nuk është normale edhe ne duhet të reagojmë duke ruajtur, veten, të tjerët, por ama duke vazhduar”, u shpreh ai.
Cikli i ngjyrosjes, nisi si lojë me ngjyrat, moment që i rindezi fëmijërinë me ngjyra të ndezura e kontraste të forta, por edhe një moment shesh-pushimi sipas tij.
“Një përpjekje për të dalë nga ky kafaz që imponojnë rrethana, si një lloj pauze të nevojshme në aktivitetin jetësor. Një shkëputje nga të gjitha presionet e mundshme”, tha ai.
Krahas vezullimit të ngjyrës herë- herë, ka figura abstrakte, apo peizazhe, ku shikuesi mund t’i perceptojë.
Çasti më delikat në pikturë është të dish të heqësh dorë, të dish të ndalosh, ose të ruash frymën e parë, sepse është më shumë akt sesa mendim, sipas artistit
“Është një cikël që ka rrjedhur në mënyrë shumë spontane, thjesht hidhja ngjyra pas asnjë lloj ideje paraprake për të mos harruar pjesën më vitale të njeriut”, tregon ai.
Kënaqësia më e madhe sipas tij është ndjesia i çliruar nga të pikturuarit apo nga angazhimi artisti duke ju dhënë pa ndonjë sforco ngjyrosjes, si një mënyrë e llojit të vet për të ritakuar fëmijën brenda vetes./abcnews.al/

