Prej orën 06:00 të ditës së sotme në pikën e kalimit të Kapshticës është bllokuar hyrja dhe dalja me Greqinë. Tashmë e vetmja pikë tokësore për të kaluar në Greqi është Kakavija. Brenda 24 orëve mund të kalojë vetëm 750 persona, që përveç tamponit, do u bëhet edhe testi i shpejtë në doganë. Ministria e Jashtme ka publikuar detajet e lëvizjes në Kakavijë, që të gjithë qytetarët shqiptarë duhet të kenë në konsideratë. Gazetari i “ABC”-së Orges Sako raportoi se sot në Kakavijë nuk kishte fluks.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme njofton në lidhje me kufizimet e hyrjes në rrugë tokësore të udhëtarëve drejt Greqisë, përfshirë pikat kufitare me Shqipërinë. Sipas vendimit të publikuar në Gazetën Zyrtare të Qeverisë greke:
Duke filluar nga dita e sotme, datë 20 nëntor 2020, ora 06:00 e mëngjesit, mbyllet pika kufitare në Kapshticë. Kushdo që ka hyrë nga kjo pikë në territorin grek para orën 6:00 të ditës së sotme, duhet të vetëkarantinohet një javë.
Lejohet kalimi i njerëzve, automjeteve, kamionëve në Kakavijë. Në rast kalimi, aplikohet vetëkarantinim i detyrueshëm një javor pavarësisht shtetësisë dhe në rast shkelje, do të aplikohet gjobë prej 5000€.
Orari i lëvizjes në Kakavijë është 7:00- 23:00 dhe vetëm 750 persona lejohen të kalojnë në ditë. Qytetarët që hyjnë në Greqi për nevoja absolute pune dhe dalin nga territori i saj, nuk do të kenë më mundësi të hyjë deri në përfundim të afatit të vendimit.
Për më shumë, qytetarët që hyjnë në Greqi, përveç paraqitjes së testit negativ PCR të kryer deri në 72 orë më parë, do të kryejnë edhe rapid test nga Njësi të Sekretariatit të Përgjithshëm të Mbrojtjes Civile dhe Organizatës Kombëtare të Shëndetit Publik të Greqisë.
Personat që rezultojnë negativë, mund të hyjnë në vend dhe të shkojnë në destinacionin e tyre, në bazë të dokumentit PLF që do dorëzojnë. Ky vendim vlen vetëm për kufijtë tokësorë, të lartpërmendur, ndërkohë që kufijtë ajrorë mbeten të hapur. Vendimi do të jetë në fuqi nga data 20.11.2020 – 4.12.2020” mbyllet njoftimi i ministrisë së Jashtme./ db/Abcnews.al