Zvicra e shqiptarëve luan sot për në çerekfinale të Botërorit

schedule14:31 - 3 Korrik, 2018

schedule 14:31 - 3 Korrik, 2018

Zvicra dhe Suedia luajnë sot për një vend në çerekfinale të Kupës së Botës. Katër shqiptaro-zviceranë pritet të jenë protagonistë në stadiumin e Shën Peterburgut.

Një duel shkollash futbolli do të luhet sot në Rusi. Zvicra dhe Suedia kërkojnë një vend në çerekfinale të Kupës së Botës, me ndeshjen e orës 16:00, në Stadiumin “Krestovskij” të Shën Peterburgut.

Katër shqiptaro-zviceranë, Shaqiri, Xhaka, Behrami e Xhemaili do të jenë protagonistë pasi besohet se do të jenë titullarë. Zvicra ka dy mungesa të sigurta, të dy mbrojtës, kapitenin Lihtshtajner dhe Fabian Sharin, të pezulluar.

Në vend të tyre pritet të luajnë Lang dhe Zhuru, ndërsa Zuber është në dyshim pasi ka qenë i sëmurë.

Vëmendje të veçantë duhet të kenë Shaqiri, Behrami dhe Zakaria, pasi nëse marrin karton të verdhë, pezullohen në çerekfinale, në rast kualifikimi.

Trajneri Petkoviç, mbetet me besim tek dëshira e skuadrës së tij për fitore. “Mendoj se futbollistët e mi sërish kanë uri për të fituar, dhe nuk do të kënaqen me arritjen deri këtu, – theksoi ai, – ndaj Suedisë nuk do të kemi shumë hapësirë dhe do të duhet të gjejmë mënyrën për të depërtuar në mbrojtjen e tyre”.

Edhe Suedia nuk është pa probleme. Mesfushori Larson është i pezulluar, por gjithashtu është edhe i dëmtuar, dhe në vend të tij duhet të luajë Gustav Svenson.

Suedezët, po ashtu, duhet të bëjnë kujdes me kartonët, pasi të paralajmëruar janë Ekdal, Kleson dhe Lustig.

Suedia jepet lehtësisht e favorizuar për të fituar nga kompanitë e basteve, në një duel që parashikohet të jetë shumë i ekuilibruar. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!