Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Sulmi i Houthive lë të vrarë 58 persona në një kamp stërvitor të qeverisë së Jemenit

schedule15:50 - 20 Tetor, 2026

schedule 15:50 - 20 Tetor, 2026

Pesëdhjetë e tetë persona u vranë dhe më shumë se 200 të tjerë u plagosën pas një sulmi të kryer të hënën nga Houthit – të mbështetur nga Irani – ndaj një kampi stërvitor të forcave qeveritare të sigurisë në provincën Shabwa të Jemenit, deklaroi guvernatori Awad al-Wazir, ndërsa luftimet në këtë vend të varfër po intensifikohen.

Një video nga provinca Shabwa, e verifikuar nga agjencia Reuters, shfaqte njerëz të plagosur dhe trupa të mbuluar me gjak të shpërndarë përtokë.

Al-Wazir bëri të ditur gjithashtu se 14 persona të tjerë rezultojnë të zhdukur pas bombardimit të kampit Al-Alam nga ana e Houthive.



Houthit dhe qeveria e njohur ndërkombëtarisht – e cila mbështetet nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite – kanë shkëmbyer sulme që kur grupi përparoi në shtator drejt një territori pranë ngushticës Bab el-Mandeb, një pikë kyçe për lundrimin detar në hyrje të Detit të Kuq.

Burime nga autoritetet vendore, të cilat folën në kushte anonimiteti, thanë se Huthët kishin lëshuar tre raketa balistike ndaj forcave të sigurisë gjatë një stërvitjeje.

Shabwa, një provincë e pasur me burime energjetike në Jemenin jug-qendror bregdetar, që shtrihet përgjatë Gjirit të Adenit, është vendndodhja e kompleksit të gazit natyror të lëngshëm në Balhaf – investimi më i madh industrial në Jemen.

Zëdhënësi ushtarak i Huthëve, Yahya Saree, deklaroi në platformën X se grupi kishte vënë në shënjestër kampin e stërvitjes, i cili, sipas tij, drejtohej nga forcat saudite. Autoritetet saudite nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Këtë muaj, forcat qeveritare nisën një fushatë për të rimarrë zonat e kontrolluara nga Huthët dhe për të rifituar terren pranë ngushticës, ndërkohë që grupi mban të rrethuar Taizin – fortesën e fundit të madhe urbane të forcave kundër Huthëve në rajonin malor jugor të Jemenit.

Konflikti në Jemen është shndërruar në një front tjetër në luftën më të gjerë SHBA-Izrael kundër Iranit, pasi Houthit kanë intensifikuar sulmet ndaj Arabisë Saudite – eksportuesit më të madh të naftës bruto në botë – duke vënë në shënjestër aeroportin ndërkombëtar të Riadit dhe kompaninë shtetërore të naftës, Saudi Aramco.

Lufta në Jemen shpërtheu në vitin 2014, kur Huthët morën nën kontroll kryeqytetin Sanaa, duke e detyruar qeverinë të tërhiqej drejt jugut. Një ndërhyrje ushtarake e udhëhequr nga Arabia Saudite vitin pasues çoi në një ngërç të përgjakshëm, derisa palët ranë dakord për një armëpushim në vitin 2022, i cili mbeti në fuqi deri këtë vit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!