Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi të dielën, se mëngjesin e të hënës do niste rehabilitimi i një segmenti kyç të kalimit të mjeteve të tonazhit të rëndë pranë Vorës. Njoftimi për devijimin e lëvizjeve u bë në ditë pushimi, larg vëmendjes së qytetarëve, duke rrezikuar jo pak bllokimin e tyre në trafik, apo krijuar kosto për bizneset. ABC News bëri një vëzhgim në rrugën në fjalë, ku nuk kishte asnjë shenjë të nisjes së punimeve.
Kur ndalohet e drejta e kalimit të mjeteve të rënda në një aks rrugor, rregulli e do që të ketë një mundësi tjetër kalimi për të njëjtin destinacion. Por çfarë ndodh në Vorë?
Kjo shtresë asfalti është vetëm një mashtrim i ëmbël. Pas 100 metrash të pret kjo.
Përmes një njoftimi të paqartë të shpërndarë për mediat mëngjesin e së dielës, Autoriteti Rrugor Shqiptar bëri me dije nisjen e punimeve për rehabilitimin e këtij segmenti. ARRSH bënte me dije edhe disa bllokime rrugësh, siç ishte bllokimi i lëvizjes së mjeteve të rënda që vinin nga veriu drejt Durrësit, duke i detyruar të ndiqnin lëvizjen Fushë Krujë-Kthesa e Kamzës-Durrës.
Njoftimi u bë një ditë para ndërhyrjes, në ditë pushimi, kur dihet që interesi i publikut për t’u informuar është më i ulët se ditët e tjera. Devijimi i tyre drejt Kamzës, qoftë edhe për pak ditë, do të sillte një mbingopje të trafikut në aksin Fushë Krujë–Kamëz-Kthesa e Kamzës. Për më tepër, kur bllokimi ndodh në kushtet e një vendimarrje surprizë sot për nesër të ARRSH-së.
Sipas këtij autoriteti punimet do të nisnin në orën 06:00 të së hënës. Siç duket nga pamjet, disa orë pas këtij orari punimet jo vetëm që nuk kanë nisur, por nuk ka asnjë shenjë të nisjes së tyre.
Në këtë segment të degraduar përtej imagjinatës është i detyruar të kalojë çdo mjet i tonazhit të rëndë që udhëton nga veriu i vendit drejt Portit të Durrësit apo jugut dhe anasjelltas. Devijimi i tyre drejt Kamzës, qoftë edhe për pak ditë, do të sillte një mbingopje të trafikut në aksin Fushë Krujë–Kamëz-Kthesa e Kamzës.
Problem nuk është vetëm për drejtuesit e mjeteve, por edhe për banorët e zonës. Sipas dëshmitarëve, rruga ndodhet në këtë gjendje prej të paktën një viti, por nuk është e qartë pse ARRSH vendosi të presë nisjen e sezonit veror për të bërë ndërhyrjen.
Nuk është hera e parë që Autoriteti Rrugor ndërhyn në arteriet kryesore të transportit kombëtar pa informuar më parë qytetarët me një fushatë informimi dhe sensibilizimi, që drejtuesit e mjeteve të marrin masa paraprake./abcnews.al