Gjermania pësoi një turpërim të madh mbrëmjen e kaluar. “Pancerat” u mposhtën 6-0 në Spanjë në sfidën për vendin e parë të grupit 4 në Ligën A të Nations League. Iberikët ia dolën të realizonin objektivin me një fitore tenistike dhe të paharrueshme.
Gjermania nuk pësonte një disfatë të tillë prej vitit të largët 1931 kur Austria i shënoi 6 herë. Turpërim dhe paraqitje skandaloze janë titujt që mbizotërojnë në mediat gjermane, teksa Bild raporton se Joachim Low i ka pozitat e lëkundura në stol. I preferuari i drejtuesve të Federatës është Hans-Dieter Flick.
Ky i fundit po shkëlqen te Bayern Munchen, me rezultate pozitive dhe një futboll shumë të bukur e zbavitës. Shkëputja e tij nga bavarezët nuk është aspak e thjeshtë, por Bild thekson se drejtuesit e futbollit gjerman po bëjnë të pamundurën për ta bindur për të qenë pasuesi i Low në pankinën e kombëtares. /abcnews.al