ABC mëson detaje të reja nga shpërthimi i bombolës së oksigjenit që përdorej për të trajtuar një pacient të infektuar me Covid-19 në një banesë në lagjen Ali Demi në Tiranë. Burime bëjnë me dije për gazetaren Xhensila Kodra se 72-vjeçari ishte konfirmuar pozitiv me Covid-19 një javë më parë.
Në momentin e incidentit ai ka qenë në banesë bashkë me familjarë të tjerë të cilët menjëherë kanë nxjerrë jashtë bombolën e oksigjenit. Por në momentin që ata kanë dalë jashtë është mbyllur edhe dera e shtëpisë e cila është e blinduar. Në këtë çast ata janë detyruar të lajmërojnë forcat zjarrfikëse dhe uniformat blu.
Ndërkohë më pas pacienti i cili kishte nevojë për oksigjen është dërguar në Spitalin Infektiv ku po vijon të marrë trajtim mjekësor. Policia po vijon hetimet për këtë ngjarje ndërkohë që nuk ka ende një reagim nga autoritet shëndetësore./mv.abcnews.al


