Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një reagim në rrjetet sociale, thotë se hapat e marra në vijim nga qeveria, të cilat u njoftuan sot nga Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, janë të pakta dhe të vonuara.
Basha vijon të theksojë se ka mbi 6 muaj që PD ka propozuar plan masash për të përballuar pandeminë, por që nuk janë marrë parasysh nga kryeministri, duke e lënë Shqipërinë vendin e fundit në çdo fushë.
“Shumë pak, shumë vonë. Ka mbi 6 muaj që kemi propozuar plan masash për të përballuar pandeminë. Fatkeqësisht Rama nuk e ka zbatuar. Sot e kësaj dite, Shqipëria është e fundit në çdo fushë. Ndihma ekonomike për është më e ulëta. Shëndetësia është në kolaps. Ekonomia në krizë”, shkruan Basha.
Për liderin e demokratëve, Shqipëria ka nevoje për një qeveri të re që kujdeset për qytetarët dhe që fuqizon ekonominë.
“Shqipëria ka nevojë për shpresë të re. Vendi ka nevojë për një qeveri që kujdeset për qytetarët e tij dhe fuqizon ekonominë. Ne jemi të vetmit që mund ta bëjmë këtë! Është koha që Shqipëria të ketë një qeveri që punon për njerëzit”, thekson ai.
n.d./abcnews.al


