Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, u shpreh se volumi i madh i testimeve ka shkaktuar edhe vonesa.
Gjithashtu ajo theksoi se autoritetet shëndetësore nuk mund të vënë në lojë saktësinë e rezultatit, ndërsa theksoi se numri i testimeve është rritur nga nevoja që paraqet situata e epidemisë.
“Nuk është për të thënë që testimi nuk vlen, por për të vënë theksin tek kompleksiteti i situatës, sepse testimi pa respektimin e masave parandaluese nuk e bën dot diferencën në këtë pandemi. Nuk ka asnjë sistem perfekt sepse asnjë sistem nuk është bërë për të përballuar pandeminë”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë.
Po ashtu ajo theksoi se gjurmimi është shumë i rëndësishëm për të këputur zinxhirin e infeksionit dhe se kjo strategji është aplikuar në terren.
“Jemi përgatitur për të vijuar rritjen e kapaciteteve të testimit. Testimi nuk është qëllim në vetvete nëse nuk shoqërohet me izolim të rasteve të dyshuara. Testimi konfirmon diagnozën, por gjithashtu nuk i kemi ndalur përgatitjet për të rritur kapacitetet në strukturat tona publike. Një nga arsyet përse Shqipëria ka një pozitivitet të lartë, është për shkak të strategjisë së testimit.
Ne po bëjmë testim të targetuar dhe gjurmojmë më pas kontaktet e tyre që mund të jenë edhe asimptoatik. Ajo që është me rëndësi është izolimi. Izolimi nuk duhet harruar. Testimet janë shumë të rëndësishme dhe jo më kot po i rrisim, por nuk kemi parë ende një shembull që testimet e kanë shpëtuar vendin nga vala e dytë. Nuk është për të thënë që testimi nuk vlen, por për të vënë theksin tek kompleksiteti i situatës, sepse testimi pa respektimin e masave parandaluese nuk e bën dot diferencën në këtë pandemi. Nuk ka asnjë sistem perfekt sepse asnjë sistem nuk është bërë për të përballuar pandeminë.
Duhet të ketë një balancë mes shpejtësisë së marrjes së përgjigjes së testit dhe saktësisë së rezultatit. Si mund të vinim ne në lojë saktësinë e rezultatit. Ndaj në me kapacitetet që kemi në dispozicion, gjykojmë se do të bënim shumë dëm nëse nuk do të kishim saktësi”, tha Manastirliu.