Presidenti Hashim Thaçi gjatë raportimit në qeveri për takimin me Vuçiç bëri të ditur se nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Kreu i Shtetit u shpreh i bindur se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë me njohje reciproke. Ai kërkoi angazhimin e kuvendit në këtë fazë finale të dialogut.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka raportuar para kabinetit qeveritar për takimin e të dielës së kaluar që zhvilloi në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandër Vuçiç. Para kryeministrit dhe ministrave, kreu i shtetit u shpreh se raundi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit përfundoi pa ndonjë marrëveshje mes dy shtetve. Dialogu ka hyrë në fazën finale dhe palët bisedojnë për një akord përfundimtar. Thaçi bëri të ditur se gjatë takimit me përfaqësuesen e lartë për politikë të jashtme, Federica Mogherini, ka qartësuar qëndrimet e Kosovës.
Hashim Thaçi, president i Kosovës: “Në këtë takim ne bëmë të qartë që Kosova është e përkushtuar që të arrijë një marrëveshje përfundimtare obliguese dhe ligjore me Serbinë. Theksuam që kjo marrëveshje duhet të jetë fitimprurëse për të dy palët. Ky proces të përmbyllet me njohje të plotë”.
Duke folur për transparencën e tij në dialog, Thaçi nënvizoi se ky informim para Qeverisë është një nga përkushtimet e tij që dialogu të jetë sa më gjithëpërfshirës. Më pas kërkoi edhe angazhimin e Kuvendit në këtë proces.
Hashim Thaçi: “Kuvendi duhet të jetë i përfshirë drejtpërdrejt sepse në rast se ka marrëveshje përfundimtare Kuvendi do e ratifikoj këtë marrëveshje me 2/3. Prandaj kryeministër, shpresoj që pozitë e opozitë do e përcaktojnë këtë përfshirje sa më shpejt që është e mundur”.
Ndërkohë, raportimi i Thaçit është bojkotuar nga ministrant e partisë NISMA Socialmokrate, si shenjë e kundërshtimit të rolit të presidentit në dialogun me Serbinë. Ndër të tjera kreu i shtetit tha se nëse Kosova do të refuzojë dialogun, Bashkimi Europian do të fajësojë Prishtinën për dështimin e normalizimit të marrëdhënieve./abcnews.al