Konflikt si në Nagorni-Karabakh? Majko në ABC: Shqiptarët bëjnë atë që s’ia pret mendja Serbisë

schedule20:45 - 13 Nëntor, 2020

schedule 20:45 - 13 Nëntor, 2020

Nëse mes Kosovës dhe Serbisë do të ketë në të ardhmen një konflikt si ai në Nagorni-Karabakh, shqiptarët do të bëjnë atë që nuk mundën ta bënin në vitet ’98-’99.

Kështu është shprehur ministri i Diasporës Pandeli Majko në një intervistë me gazetaren Jonida Shehu në Radari Informativ në ABC.

Lexo edhe: Turqia furnizon Serbinë me dronë vrasës, Majko: Do ta mbajmë shënim

Majko deklaroi se nëse do të krijohej një situatë e tillë, atëherë kur shqiptarët fituan një luftë me NATO-n pa pasur shtet, mund të imagjinohet se çfarë mund të bëjnë duke e pasur Kosovën.

PJESË NGA INTERVISTA

Jonida Shehu: Në qoftë se do të ketë një konflikt si në Nagorni-Karabakh, ne do të rreshtohemi siç u rreshtuam në ’98-’99?

Pandeli Majko: “Nëse do të ketë një konflikt si në Nagorni-Karabakh, trupat serbe do të përballen me trupat e NATO-s. Dhe po bëri vaki që të ndodhë kjo histori që do të thotë ripërsëritje e luftës së Kosovës, po ju them që shqiptarët të organizuar dhe të paorganizuar, do të bëjnë një gjë që s’e kanë bërë as herën e kaluar. Dhe këtë Serbët duhet ta dinë shumë mirë. Kur shqiptarët fituan një luftë me NATO, pa pasur shtet, pa pasur ushtri, pa pasur strukturat shtetërore, imagjinoni se çfarë bëjnë duke e pasur Kosovën.”

Kujtojmë se, duke iu referuar luftimeve në Nagorni-Karabakh, presidenti serb Aleksander Vuçiç është shprehur të enjten se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment.

“Është e rëndësishme t’iu them se konflikti Nagorno-Karabak tregon se konfliktet e ngrira mund të përshkallëzohen në çdo moment. Situata me Kosovën nuk do të jetë e lehtë në muajt e ardhshëm. Nuk duhet t’ua lëmë fëmijëve tanë konfliktin e ngrirë”, tha Vuçiç.

Më tej, ai paralajmëroi se në rast të mos-arritjes së një marrëveshje, një konflikt i ngjashëm mund të ndodhte mes Kosovës dhe Serbisë, për këtë arsye, ai “do bëjë gjithçka për të vazhduar negociatat” në mënyrë që të evitohet një skenar i tillë. s.b/abcnews.al/