Autoritetet greke kanë njoftuar sot kufizime më të rrepta në lëvizje, duke zgjatur edhe shtetrrethimin e vendosur në vend pasi rastet me Covid-19 kapën shifra rekord këtë mbrëmje.
Katër ditë pasi vendi është futur në një karantinë të dytë për të frenuar përhapjen e koronavirusit, ministri i mbrojtjes civile të Athinës, i ngarkuar me përgjigjen e qeverisë ndaj pandemisë, tha se i gjithë qarkullimi do të ndalohet mes orës 21:00 dhe 5.00 të mëngjesit.
“Javët në vijim janë veçanërisht kritike,” tha Nikos Hardalias në një fjalim televiziv.
“Ne e dimë lodhjen që ndiejmë të gjithë, por jemi në një moment kritik dhe duhet të jemi të pajisur me durim dhe këmbëngulje për të mbrojtur njëri-tjetrin dhe për t’u përballur me valën e dytë,” tha ai.
“Me kufizimin e lëvizjes së panevojshme në të gjithë vendin, ne kufizojmë transferimin dhe transmetimin e virusit dhe zvogëlojmë mundësinë e krijimit të vatrave të reja.”
Zyrtarët grekë të shëndetësisë konfirmuan të mërkurën edhe 2,752 raste me Covid-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 63,321.
Nga ai numër, 347 persona ndodhen në kujdesin intensiv, ndërsa ministria e Shëndetësisë njoftoi se pavijonet Covid janë 70% të mbushura. s.b/abcnews.al/