Vetëm 3 ditë për një kartë identiteti false europiane

schedule12:21 - 27 Qershor, 2018

schedule 12:21 - 27 Qershor, 2018

E përditshmja britanike “DailyMail” e ka kthyer sërish vëmendjen nga vendi ynë. Këtë herë një hetim i saj zbuloi se për të marrë një kartë identiteti false të Bashkimit Europian mjaftojnë 3 ditë dhe 800 paund dhe pas tyre fshihen banda kriminale të cilat operojnë në Tiranë.

“Kartat e falsifikuara të identitetit të Bashkimit Europian, që përdoren për t’u futur ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, mund të përftohen në vetëm 3 ditë. Për 800 paund, Mail bleu një kartë identiteti false italiane nga një shqiptar. Ky dokument pranohet në vend të pasaportës në kufijtë britanikë”, shkruan e përditshmja.

Për 250 paund të tjera, DailyMail thotë se mundi të siguronte gjithashtu një kartë shëndeti italiane, që i lejon gjithashtu emigrantët që të përfitojnë nga shërbimi shëndetësor në Britani.

Më tej, tabloidi britanik shkruan se ky hetim vjen pas shqetësimit në rritje për përhapjen e ID-ve europiane, që janë përdorur nga xhihadistë, përdhunues, grabitës apo mashtrues.

Për këtë merr rastin e shqiptares Fatmira Tafa, e cila u dënua me 14 muaj burg në Prill, pasi përdori një ID greke të falsifikuar për transplatin e veshkës, që i kushton sistemit shëndetësor në Britani më shumë se 72 mijë paund.

Agjencia Europiane e Kufirit, Frontex tha se më shumë se 7 mijë persona u ndaluan teksa po tentonin të kalonin në bllok duke përdorur dokumente false në vitin 2016, pjesa më e madhe prej të cilëve kishin si destinacion Britaninë e Madhe.

Në krye të listës së këtyre personave janë shqiptarët dhe ukrainasit, të cilët përdorin karta identiteti false italiane dhe greke.

Sipas Frontex, përveçse u sigurojnë rrugën, janë pikërisht trafikantët ata që i pajisin me dokumentet të tilla emigrantët, si pjesë e shërbimit të tyre.

Përgjatë viteve të fundit, dokumentet false që qarkullojnë në Bashkimin Europian kanë pasur si rritje të sasisë ashtu edhe të cilësisë.

Europol, Agjencia Europiane e Policisë ka paralajmëruar se dokumentet false janë një prej aktiviteteve kriminale më të zakonshme, që lidhet drejtpërdrejt me krizën e emigrantëve.

Më tej, DailyMail shkruan se pikërisht në Tiranë, reporterja e tyre arriti të kontaktonte me një person që i siguroi mjet identifikimi fals.

“Në kryeqytetin shqiptar, në Tiranë, reporterja jonë kontaktoi me një falsifikator nëpërmjet një ndërmjetësi dhe brenda 72 orëve arriti të merrte një ID italiane false. I dhamë një foto, por emri ishte i një gruaje të vërtetë italiane. Vendlindja e saj ishte në Monza, pranë Milanos, me të dhënat e saj besohet se janë marrë nga regjistrat italianë të lindjes”.

“Na u ofrua gjithashtu një kartë shëndeti italiane, e quajtur Tessera Sanitaria, me të njëjtin emër, me një numër ID-je me 16 shifra, që të lejon të hapësh një llogari bankare dhe të marrësh shërbimet që ofron sistemi shëndetësor një moment që ke hyrë në Itali dhe disa shërbime të tjera të NHS, një moment që futesh në Mbretërinë e Bashkuar”, shkruan më tej DailyMail.

Tabloidi citon gjithashtu kreun e Policisë Shqiptare, sipas të cilit janë me mijëra shqiptarë të cilët kanë përdorur ID të falsifikuara për t’u futur në Britani vitet e fundit.

Ndërsa një burim policor, për DailyMail tha: “Dokumentet provohen dhe testohen. Ata që kalojnë, vendosin kontakte me miqtë dhe të afërmit e tyre dhe i tregojnë për këto dokumente. Këtë mënyrë ata kanë garancinë se funksionojnë dhe trafikantët kanë klientë të rinj. Kështu funksionon ky biznes”.

Aktualisht, kushdo mund të futet në Mbretërinë e Bashkuar me një pasaportë apo kartë identiteti false, nga çdo vend që bën pjesë në Zonën Ekonomike Europiane, që përfshin vendet e BE-së, plus Islandën, Liechtenstein dhe Norvegjinë.

DailyMail//tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!