Franca dhe Danimarka u kualifikuan për në turin e dytë të Botërorit në grupin C. Gjithsesi, ndeshja mes tyre ishte e dobët dhe e para pa gola në këtë turne.
Ndeshja e parë pa gola, fatkeqësisht, erdhi.
U desh të kalonin 38 të tilla në Botërorin rus, që të mendonin Franca e Danimarka, se futbolli është më shumë llogari sesa spektakël.
Barazimi 0-0 i dërgoi të dyja skuadrat në të tetat e finaleve, ndërsa njerëzit e pranishëm në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, me siguri dolën prej tij të penduar që kishin shpenzuar aq shumë para për ta ndjekur këtë përballje.
Shumë pak raste për t’u shënuar, shumë pak impenjim, dhe gjithë kujdesi i francezëve e danezëve ishte për të mos u lodhur, për të mos rrezikuar dhe për të mos pësuar ndonjë dëmtim.
Nëse do të ishte menduar kështu, nuk do të kishim pasur fatin të ndiqnim as Francën e Platinisë, Zhiresit e Tiganasë, dhe as Danimarkën e Elkjerit e Laudrupit, në vitet 80-të.
Formacioni i trajnerit Deshamp pati më shumë epërsi territoriale dhe në zotërimin e topit.
Po ashtu, gjuajti më shumë drejt portës së Shmajkelit, por sërish pa krijuar emocione të forta.
Franca e mbylli grupin me 7 pikë, me dy fitore e një barazim, por duke mos bindur në asnjë prej ndeshjeve.
Danimarkës i mjaftuan 5 pikët për t’u kualifikuar si vendi i dytë në grupin C, ndërsa Peruja u eleminua edhe pse fitoi 2-0 ndaj Australisë. /abcnews.al