Naftëtarët e Ballshit kanë vendosur të ndërpresin përfundimisht grevën e urisë duke pranuar ofertën e kreut të qeverisë Edi Rama. Një ditë më parë, Rama tha se naftëtarët do të marrin një pagë të ndërmjetme për të periudhë të caktuar kohore. Naftëtarët kanë pranuar të ulen të bisedime me kryeministrin për të caktuar pagesën.
Burime bëjnë me dije për abcnews.al se bëhet fjalë për një pagë të ndërmjetme mes pagës minimale dhe asistencës e cila do të ofrohet nga qeveria deri në rivënien në punë të uzinës. Ndërkohë Sokol Dautaj kreu i Sindikatës së naftëtarëve është shprehur se për pagat e prapambetura do të shkojnë deri në Strasburg.
“Sot kemi zhvilluar një takim me pjesën më të madhe të kolegëve naftëtarë. Kemi pranuar. Për problemet e pagave do vazhdojmë rrugën gjyqësore. Duke mos arritur një zgjidhje nga qeveria e cila nuk i mori përsipër pagat por ia kaloi Ai premtoi një pagë ndërmjetëse mes pagës minimale dhe pagës që ne marrim në rafineri. Punëtorët kanë punuar që të jepet kjo pagë.
Mund të ketë edhe kundër por pjesa dërrmuese janë për pranimin e kësaj page. Kushtet ekonomike na detyrojmë ta pranojmë këtë një orë e më parë. Me operatorët e rinj ne gjithmonë kemi qenë mosbesues. Ndaj kemi kërkuar dje që të mos zhgënjehemi më. Që të dalë garant pala shtet. Nuk e urojmë që të ndodhë e njëjta situatë”, u shpreh Dautaj./mv.abcnews.al
Rama takoi dje një përfaqësi të tyre në Fier përgjatë orëve të pasdites. Në fund të takimit ai foli për propozimin që ishte hedhur në tryezë. “Ne kemi propozuar që qeveria të marrë përsipër një mbështetje financiare në kohë për të gjithë këta punëtorë. Nuk mund të jetë paga e punës së tyre sepse rafineria është e fikur, por natyrisht nuk flasim për pagën e asistencës. Ne nuk merremi me pagën e prapambetur, është një çështje që ka të bëjë me marrëdhënien e tyre me kompaninë.
Greva nuk është opsion pavarësisht se është e drejta e tyre. Por në kushte grevash nuk negociojmë. Nuk janë një grup i zakonshëm punëtorësh dhe ne nuk duam t’i humbasim për sa kohë që nuk mendojmë se rafineria është një kauzë e humbur”, tha Rama një ditë më parë./mv.abcnews.al