Policia e Tiranës ka vënë në pranga katër persona të cilët akuzohen për vepra të ndryshme penale.
Mes katër të arrestuarve është një 34 vjeçare e cila ka aksidentuar një këmbësore.
Sipas policisë shtetasesja E. K., 34 vjeçe, pasi në rrugën “Teodor Keko”, ka aksidentuar këmbësoren me iniciale D. T., e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Njoftimi i plotë:
Kapen dhe ndalohen 4 shtetas të shpallur në kërkim kombëtar për vepra të ndryshme penale.
Arrestohet në flagrancë dhe një shtetase, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”.
- Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit D. Gj., 20 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Mashtrimi”, kryer në bashkëpunim.
- Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit B. S., 61 vjeç, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
- Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit B. L., 33 vjeç, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burgim, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.
- Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rrugore, ka kapur dhe ndaluar shtetasin K. Ç., 28 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 4 muaj burg, për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”.
- Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetases E. K., 34 vjeçe, pasi në rrugën “Teodor Keko”, ka aksidentuar këmbësoren me iniciale D. T., e cila ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore./abcnews.al



