Bujar Pregja, specialist gjykimi në emisionin “Pressing” në ABC, ka folur për rastet e diskutueshme të kësaj jave në Superiore. Ish-arbitri i njohur e nisi me përballjen e luajtur në Korçë, mes Skënderbeut dhe Vllaznia. Pregja vlerësoi gjykimin e të riu Florian Lata, duke e konsideruar si të perspektivës.
Më pas kaloi te ndeshja Tirana-Teuta: “Aty kishte pretendimet të shumta nga Kristi Vangjeli. Gjithë kohën diskutonte me arbitrin. Mund të marrë karton të verdhë, edhe pse diskutimi mund të jetë normal. Arapi proteston në vazhdimësi, pasi është edhe kapiteni i skuadrës. Arbitri ka në dorë t’i ndalojë ato protesta. Nuk kishte raste të diskutueshme, veç atij momentit kur kishte protesta”.
“Kemi një rast në Laç, është dhënë faull. Kam dyshimin për pozicionin e sulmuesit të Laçit. Duket sikur është, por nuk e jap dot të saktë. Arbitri nuk e dha pozicion, por faull. Numri katër i Kastriotit pengon Nwabueze. Nuk ka faull ndaj portierit”, tha Pregja.
Më pas ai kaloi te ndeshja Kukësi-Partizani. “Ibrahimi e ka prekur me dorë topin dhe kemi penallti të pa dhënë (Ndërhyn Starova: Ajo është volejboll fare). Pa dashur ta justifikoj arbitrin, ndoshta lojtari i Partizanit e ka penguar. Në këtë ndeshje ka edhe një rast tjetër. Hakaj kërcen dhe e godet kundërshtarin. Është në limitet e kartonit të kuq. Fakti që e mbledh këmbën ka ndikuar që t’ia hedhë me karton të verdhë”.
“Në Fier mungon një penallti për Bylisin. Lojtari i Apolonisë shkakton faull te lojtari i ballshiotëve dhe duhej dhënë penallti. Sa i takon golit të anuluar, Mehmatllari më duket pak më i avancuar. Këmba e tij është pak para”. /abcnews.al