Të panjohurat e Covid-19, imunologu Sulçebe sqaron në “ABC” nëse mund të ri-infektohemi

schedule17:53 - 9 Nëntor, 2020

schedule 17:53 - 9 Nëntor, 2020

Aktualisht vendi ynë ndodhet në kurbën eksponenciale të infektimit sa i përket situatës epidemiologjike. Kështu u shpreh imunologu Genc Sulçebe, i ftuar në ABC, gjatë një bisede me gazetarin Endri Xhafo.

Sipas asaj që u shpreh mjeku, shumica e popullatës nuk është imunizuar nga ky virus, dhe për këtë arsye ndodhemi në këtë situatë, ku një person i infektuar, ia kalon virusin tre të tjerëve dhe kështu me radhë.

“Një i infektuar infekton tre persona të tjerë. Jemi në kurbën eskponenciale të infektimit. Shumica e popullatës nuk është e imunizuar nga ky virus. Jemi shumë larg ndaj këtij kufiri.  Duhet që 50 për qind e popullatës të ketë rënë kontakt me virusin.”

Sa i përket faktit më herët gjatë ditës u njoftua se vaksina që po përgatitet nga amerikani Pfizer rezulton të jetë 90 për qind efektive, Sulçebe thotë se ky është një lajm shumë i mirë.

Me vaksinën, ne do ta kapim imunitetin kolektiv, thotë mjeku. Ndërsa, i pyetur se pse gjatë verës nuk i patëm këto shifra,  imunologu u shpreh se në këtë stinë që ndodhemi kushtet për përhapjen e virusit janë ideale.

“Në këtë periudhe kushtet për pëhrapjen e virusit janë ideale. Është skandaloze, që ka njerëz rrinë me kenaqësi në kafene.  Jemi në kushtet ideale për t’u shpërndarë virusi në mënyrë eksponenciale, ambientet janë  të mbyllura.”

Sa i përket shkallës së vdekshmërisë, Sulçebe u shpreh se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha rastet me Covid-19 konfirmohen nga sistemi

Kurse, rreth rreziqeve që mund të sjellë virusi, mjeku shpjegon:

“Kjo është një sëmundje e vetëshërueshme, pa mjekim, e shëron sistemi ynë imunitar. Nuk është vdekjeprurëse, vdekshmëria nën moshat 50 është më e ulët se nga gripi. Sa më e ulët mosha, aq më e ulët vdekshmëria. Moshat mbi 60, meshkujt, sëmundjet shoqëruese, diabeti, zemra, veshkat, sëmundjet tumorale, këtu ka rreziqe. duhet të fokusohemi në mbrojtjen e kësaj popullate.”

Personat që e kalojnë virusin, mund të fitojnë imunitet deri në dy vjet sipas mjekut.

“Ky virus nuk ka të papritura të tmerrshme, sa i përket imunitetit. Antitrupat, nuk mund të themi me siguri se sa kohë do zgjasë, por nga eksperiencat  e mëparshme me koronaviruset e tjerë, zgjat 1 vit deri në 1 vit e gjysmë. Nga SARS Cov1 apo MERS zgjat edhe me vite të tëra. Nuk duhet të kemi frikë se do prekemi më, për dy vjet, jeni të sigurt.” s.b/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!