Gjatë grumbullimit të tetorit Napoli i kërkoi Rejës të mos e grumbullonte Hysajn në kombëtare, por kjo nuk mund të ndodhë gjithmonë. Situata e infektimeve te Napoli fatmirësisht është qetësuar dhe skuadra i është kthyer normalitetit.
Pas kësaj, Hysaj ka marrë më në fund lejen nga klubi për të ardhur në grumbullimin e kombëtares për tre ndeshjet e nëntorit: vëllazëroren ndaj Kosovës dhe dy ndeshjet e Ligës së Kombeve ndaj Kazakistanit dhe Bjellorusisë, ku duhen me patjetër fitoret.
Lajmin e kthimit në kombëtare e ka dhënë vetë Hysaj përmes një fotoje të postuar në Instagram. Mbrojtësi ka postuar foton e pasaportës shqiptare dhe e ka shoqëruar me simbole, teksa nga sfondi minimal pas saj mund të kuptojmë se është në ambientet e një aeroporti.
Lajm i madh për trajnerin Reja, që pas Gjasulës konfirmon një tjetër senator për ndeshjet e Ligës së Kombeve, ndërkohë në dyshim janë ende disa lojtarë, mes tyre edhe Kumbulla. /abcnews.al