Mesditën e sotme në presidencë është organizuar një ceremoni dedikuar futbollit, veçanërisht klubit të Tiranës. I pranishëm ka qenë edhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta.
Ai i ka vlerësuar për kontributin e madh të dhënë ndër vite në futboll dhe frymëzimin e brezave të rinj të disa prej legjendave të Tiranës dhe ka vendosur t’i akordojë çmimin “Mjeshtër i Madh”.
Osman Mema, Bedri Omuri, Millan Baçi, Mirel Josa, Krenar Alimehmeti, Artur Lekbello dhe Edmond Gëzdari janë dekoruar sot në presidencë me çmimin e mirënjohjes dhe janë vlerësuar për djersën e derdhur për kombëtaren dhe klubin bardheblu.
“Suksesi i madh i juaji, me të cilin krenohen të gjithë tifozët e Tiranës dhe kombëtares vjen nga puna e palodhur dhe këmbëngulja, duke u stërvitur e luajtur me sakrifica të mëdha.
Rezultatet e juaja krenojnë mbarë vendin. Faleminderit për kënaqësinë dhe emocionet që i keni dhënë tifozëve”, tha ndër të tjera presidenti Meta gjatë fjalimit të tij. /abcnews.al