Jakup Krasniqi del para trupës gjykuese në Hagë: E kam lexuar aktakuzën në gjuhën shqipe

schedule11:21 - 9 Nëntor, 2020

schedule 11:21 - 9 Nëntor, 2020

Ish kreu i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi ka dalë para trupës gjykuese në Hagë. Krasniqi është paraqitur për herë të parë para Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale.

Ish-kreu i Kuvendit u pyet nga trupa gjykuese nëse e ka marrë aktakuzën. “Aktakuzën e  kam marrë, një pjesë të saj në 4 nëntor, por edhe në Hagë kemi marrë një variant të përmirësuar të aktakuzës. Është në gjuhën shqipe, e kam  kuptuar dhe lexuar mirë”, tha ai.

Në paraqitjen e parë, Krasniqi ka të drejtë ta zgjedhë një avokat mbrojtës ose kjo t’i caktohet nga Specialja. Në këtë paraqitje, atij i lexohen akuzat dhe informohet se brenda 30 ditësh duhet ta deklarojë fajësinë apo pafajësinë në lidhje me to. Ai mund të deklarohet rreth fajësisë apo pafajësisë që në paraqitjen e parë.

Të mërkurën, Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dërgua për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara. Për në të njëjtin destinacion, me një avion ushtarak, të nesërmen u nisën edhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Kujtojmë se në orën 15:00 të ditës së sotme para trupës gjykuese do të dalë ish-presidenti Thaçi.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. g.v/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!