Policia greke ka goditur një bandë të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Athinë duke arrestuar 8 persona, mes të cilëve shqiptarë, nigerianë dhe ganezë. Shqiptarët në bashkëpunim me afrikanët shpërndanin dozat e kokainës, heroinës dhe kanabisit në disa lagje të Athinës.
Sipas medieve greke, droga fshihej në pemë, tenda makinash, kosha plehrash, vazo lulesh dhe në pjesë të ndryshme të rrugëve, të tilla si nën automjetet e parkuara ose puseta, ku shkonin e merrnin më pas konsumatorët. Mes të arrestuarve është edhe një pronar i një dyqani, i cili kontrollonte lëvizjet e policisë duke informuar grupin.
Nga kërkimet u gjetën dhe sekuestruan 12,095 euro, 264 gr kanabis, 4 gr heroinë, 15 telefona celularë. Pothuajse të gjithë të akuzuarit janë me precedent, pasi janë arrestuar edhe në të kaluarën për trafik droge./ db/Abcnews.al