Shumë emocione në pjesën e parë dhe asnjë i tillë në fraksionin e dytë të ndeshjes mes Manchester City dhe Liverpool. Dueli i zjarrtë mes dy skuadrave më të forta të viteve të fundit në Premier League, u mbyll në barazim 1-1.
Sadio Mane u pengua në mënyrë të parregullt nga Walker në minutën e 13-të dhe penallti për kampionët në fuqi. Momo Salah nuk gaboi nga pika e bardhë, gjeti golin e tetë në kampionat dhe djemtë e Jurgen Klopp në avantazh në “Etihad Stadium”.
Vendasit reaguan dhe gjetën golin e barazimit pas gjysmë ore lojë. Asist De Bruyne, veprim i bukur i Gabriel Jesus mes dy mbrojtësve të “The Reds” dhe goditje e saktë, me brazilianin që gjeti golin e dytë në kampionat për këtë sezon.
The points are shared after a pulsating draw#MCILIV pic.twitter.com/iSiTAwLFVd
— Premier League (@premierleague) November 8, 2020
Tre minuta përpara fundit të pjesës së parë, arbitri kryesor, pasi pa pamjet në VAR, akordoi një tjetër penallti për prekje të topit me dorë. Këtë radhe për Manchester City, por goditja e belgut De Bruyne përfundoi jashtë.
Një shans i artë që u humb nga fantazisti i ekipit të Guardiolës. Pjesa e dytë regjistroi vetëm një rast për Gabriel Jesus dhe asgjë tjetër. Përfundimisht 1-1, me Liverpool që ndan vendin e dytë me Tottenham (nga 17 pikë), ndërsa City mbetet nqë vend të 11-të me 12 pikë.
NDESHJET E TJERA – Tottenham vijon ecurinë pozitive, pasi ka marrë fitoren e katërt në pesë ndeshjet e fundit. Mes tyre ka vetëm një barazim dramatik, ai kundër West Ham në minutat e fundit. Ekipi i Mourinho iu fal Harry Kane, i cili shënoi në fund të takimit me West Brom dhe i dha tre pikët skuadrës londineze.
Leicester gjithashtu po gëzon një moment të mirë dhe kryeson kampionatin me 18 pikë. Sot “Dhelprat” morën fitoren e tre radhazi, duke mundur 1-0 ekipin e Wolves. Vardy shënoi penalltinë që vendosi ndeshjen, ndërkohë që mund të kishte shënuar edhe një herë tjetër nga pika e bardhë. Anglezi nuk ia doli, por në fund gjithsesi Leicester triumfoi dhe mori pikët e plota. /abcnews.al