Busti i gjuhëtarit dhe albanologut të shquar shqiptar Eqerem Çabej vendoset në kopshtin e Akademisë së Shkencave. Në ceremoninë e inaugurimit ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili krahas vlerësimit të kësaj figure madhore të gjuhës shqipe, ai çmoi edhe realizimin e skulpturës nga Hektor Dule.
Inaugurim i bustit të Eqerem Çabejt sjell kryeministrin e Shqipërisë mes akademikëve. Edi Rama e cilësoi si një prej fjalimeve më të vështira që ka mbajtur, pasi sipas tij, i rëndon pesha dhe madhështia e Çabejt.
Edi Rama: “Është një rast posaçërisht i veçantë, që sprovon të gjithë eksperiencën e fjalëve të mbajtura përpara njerëzve, pasi, të flasësh shqip, për të nderuar një njeri aq të bukur sa Eqerem Çabej, përkushtimi dhe kontributi i të cilit për shqipen e ktheu përjetësisht në lartmadhërinë e shkencave albanologjike, është një sfidë më vete”.
Nga ana tjetër, veprën e skulptorit Hektor Dule e çmoi për realizimin dhe e krahasoi për nga niveli me bustin Naim Frashërit e realizuar nga Odise Paskalin.
Skulptori thotë se rikthimi në ambientet e Akademisë së Shkencave pas 63 vitesh me një figurë kaq madhore, nuk ka qenë i lehtë. Synimi i tij, ku ishte forcës së mendimit.
Ai rrëfen se për realizimin e këtij busti ka shfrytëzuar edhe njohjen me Çabejn, sëbashku me një foto të shkrepur prej tij po në këtë pozicion.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama thotë se ka ardhur koha që t’i rikthehet doktoratura e Çabejt publikut në lidhje me etimologjinë e shqipes.
Në kopshtin e Akademisë së Shkencave busti i Eqerem Çabejt është i dyti pas atij të Aleks Budës. /abcnews.al