Berat/ Flet 17-vjeçari: Nuk isha peng, babai u tremb nga policia

schedule14:04 - 24 Qershor, 2018

schedule 14:04 - 24 Qershor, 2018

17-vjeçari Albert Duro tregon versionin e tij për ngjarjen e një dite më parë për të cilën u tha se po mbahej peng nga babai i tij. Ai kundërshton këtë version duke dhënë detaje të tjera. Ndërkohë, policia e ka arrestuar Admir Duron, i cili përveç pengmarrjes akuzohet edhe për dhunë ndaj policisë.

U raportua zyrtarisht se 43-vjeçari Admir Duro në Berat, të shtunën kishte marrë peng djalin e tij 17-vjeçar të cilin e linte pa ushqim. Por një ditë pas ngjarjes, i riu hedh dritë për një tjetër version.

Adoleshenti Albert Duro thotë se nuk ishte peng i babait. Por çdo gjë ndodhi pasi telefonoi policinë për ta trembur sepse po debatonin. Kur policia i ra derës me forcë,  babai u irritua dhe nuk pranoi ta hapte, thotë ai pa treguar fytyrën.

Albert Duro: “Thjeshtë mora policinë për një moment sepse nuk po më linte të dilja, kishte merak edhe njoftova policinë vetëm për ta trembur. Më pas, ata erdhën nga dera, po godisnin. Dola nga çatia për t’i thënë ndaloni, mos i bini më se u nervozua shumë”.

Në të vërtetë orët e negociimit midis policisë dhe 43-vjeçarit morën përmasa të frikshme për shkak se personi njihej me probleme mendore. Banorët thonë se në rrugë, Duro ishte i qetë, por në shtëpi ishte ndryshe. Ata tregojnë se dy vjet më parë ka qenë i shtruar në spitalin psikiatrik të Vlorës.

“Njeri agresiv ishte për vetveten ai. Vetëm bërtet në shhtëpi, presioni që i bënte të birit”.

“Këtu jo e jo, po brenda në shtëpi. Çdo shtëpi ka halle”.

17-vjeçari është djalë i vetëm dhe jetonte me të atin që prej moshes 1 vjeç, kohë kur ndodhi divorci i prindërve të tij. Në njoftimin zyrtar të Policisë së Beratit, Admir Duro, akuzohet për pengmarrje dhe dhunë psikologjike ndaj djalit të tij. Ai u arrestua dhe akuzohet edhe për kundërshtim dhe dhunë ndaj policisë. Kjo, me kohën kur ai nga çatia e shtëpisë qëllonte tjegulla e sëpatë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!