Gjiknuri: Nga Shtatori pritet të fillojë aksi Thumanë-Kashar

schedule11:27 - 24 Qershor, 2018

schedule 11:27 - 24 Qershor, 2018

Turin e llogaridhënies, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, e ndali në Kamëz. Gjatë bashkëbisedimit me banorët e kësaj zone u ndal në çështjen e trajtimit të mbetjeve dhe investimet në rruget lidhëse me veriun e vendit.

Rruga nga Thumana në Kashar pritet të nisë në muajin Shtator. Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, e bëri të ditur në një takim me banorët e Kamzës.

“Ju e dini se ne po ndërmarrim investime të mëdha për gjithë pjesën e rrugëve lidhëse për nga veriu. Kjo do të thotë se edhe rruga Thumanë-Kashar, besoj nga Shtatori do të fillojë. Do të ketë një lehtësi të trafikut edhe drejt Kamzës pasi pjesa e veriut do të shkojnë drejt autostradës Tiranë-Durrës. Edhe pjesa nga Fushë Kruja në Kamëz do të ketë gjithashtu një lehtësim të trafikut”, u shpreh Gjiknuri.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë u ndal edhe tek çështja e trajtimit të mbetjeve në Kamëz, ku vuri në dukje mungesën e bashkëpunimit me pushtetin vendor.

“Ne i kemi propozuar kryetarit të bashkisë po jua themi. Ne po ngremë një incenerator në Sharrë dhe Kamza nuk ka pse të trajtohet veç si Tirana. Qeveria shqiptare ka marrë risqet e saj, ne shpenzojmë disa milionë dollarë çdo vit vetëm për trajtimin e mbetjeve në Qarkun e Tiranës. Skema jonë ka qenë që edhe mbetjet e Kamzës të shkojnë në Sharrë dhe të përpunohen aty. Qeveria do të japë mbështetjen e saj, bashkia do të marrë edhe ajo një risk, një kontribut të vogël financiar. Nuk kemi gjetur bashkëpunim. Këtë po jua them, zgjidhja është aty, problemi i mbetjeve në Kamëz do të zgjidhet siç po zgjidhet edhe në Tiranë. Është e rëndësishme që pushteti vendor këtu të jetë bashkëpunues me qeverinë në këtë drejtim”, tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ndërsa kryetarja e Partisë Socialiste për Tiranën, Blerina Gjylameti, theksoi se nuk ka asnjë arsye që Kamza, e cila ndodhet vetëm pak minuta larg qendrës së Tiranës të mos ecë në të njëjtin ritëm zhvillimi./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!