Aleati parlamentar i Partisë Demokratike, kreu i LZHK-së Dashamir Shehi paralajmëron përshkallëzim të aksionit opozitar në vjeshtën e këtij viti, në pritje të asaj që quan mesazh të keq për shqiptarët, votën e Bashkimit Europian kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.
Pak ditë përpara votës europiane për negociatat e BE-së me Shqipërinë, kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar,Dashmari Shehi, aleat parlamentar i demokratëve, rastit të një JO-je të unionit ndaj Shqipërisë i vendos një skenar të përshkallëzuar opozitar.
Dashamir Shehi: “Ne nuk do ftojmë midis vapës dhe kampionatit botëror njerëzit të demonstrojnë, por të jeni të sigurtë që nga vjeshta e mbrapa do fillojë stina opozitare, nëse kjo qeveri nuk reflekton, nuk largon ata që i kemi thënë të largojë, për hir të Europës jo për ne. Ky prandaj trembet se kujton se e kontrollojmë ne”.
Aksionit të deritanishëm të opozitës për pjesëmarrje në punimet e Kuvendit vetëm për ato çështje të një rëndësie parësore për vendin, ose në të kundërt për denoncimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe kërkesës për largimin e tij, Dashamir Shehi i njeh rezultate të dukshme.
Dashamir Shehi: “Këtë punë e kemi bërë mirë, po të mos e bënim nuk do ishim këtu. E kemi bërë në emër të Europës sepse s’mund të pranojë një çetë brenda Brukselit. Pranon një shtet, jo një bandë, një fis, kështu që kjo lloj strategjie për ne ka qenë e suksesshme. Do të shohim vendimet e Brukselit me datë 28. Urojmë që të na fusin megjithëse nuk e meritojmë”.
Ministri Xhafaj, për kreun e LZHK-së, sot është imazhi i kësaj qeverie, por jo mëkati i vetëm i saj, ndaj largimi i tij do të ishte vetëm një fitore e radhës e opzitës, për llogari të Shqipërisë e jo vetes së saj.
Dashamir Shehi: “Problemi me i madh i opozitës nuk është çështja Xhafaj, por çështja e krimit të organizuar, degjenerimi i shtetit, rrëshqitja drejt një neodiktature, mjë shteti pa dyer e pa penxhere dhe korrupsioni i tejskajshëm. Xhafaj në këtë mozaik të zi është një gur. Deri para një muaji ishte Tahiri. Kjo është tallje për Shqipërinë dhe për Europën”.
Mesazhi i Europës, që do të materializohet në samitin e 28 Qershorit, fillimisht duhet të jetë një mesazh për qytetarët, thekson Shehi.
Dashamir Shehi: “Besoj edhe shqiptarët do e kuptojnë që me këta njerëz nuk kemi të ardhme, se u bën 5 vjet. Sa duhet të presim? Ne s’kemi pas në 5 vitet e fundit asgjë në dorë për të ndaluar të keqen e kësaj qeverie sepse kemi pasur pak vota. Kështu që edhe kur ankohet ky që s’e kemi lënë ne kjo është gënjeshtra më e madhe”.
Për këtë një thirrje ua drejton qytetarëve shqiptarë.
Dashamir Shehi: “Ju të nderuar shqiptar i keni dhënë të drejtën një grupi që vjedh çdo ditë të ju qeverisë sipas qejfit. Ne nuk i ndalojmë dot. Ne kemi bërë detyrën tonë dhe i kemi denoncuar, mirëpo ktyre nuk i pëlqen as denoncimi. Këta duan të vjedhin të grabisin dhe mos i denoncojmë, t’i lavdërojmë madje. Ne jemi këtu për të rezistuar dhe denoncuar dhe duhet pritur që një pjesë e shqiptarëve të zgjohen dhe ta kuptojnë”./abcnews.al


