Për çështje orësh, bota mund të marrë vesh se kush do të jetë presidenti i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe gjasat janë që ky të jetë Joe Biden.
Kështu është shprehur gazetarja Dorina Kurtaj në një bisedë rreth presidencialeve në SHBA me gazetaren Juli Xhokaxhi në Abc.
Duke analizuar situatën aktuale, gazetarja Kurtaj thotë se tashmë Trump është duke humbur terren edhe ne bastionet e republikanëve si Georgia apo Pennsylvania.
Sa i përket akuzave të Trump se me votat me postë po bëhet një mashtrim i madh, Dorina Kurtaj shprehet: “Sot në Pennsylvania kalon afati ligjor për numërimin e votave me postë, prandaj po përshpejtohet. Deklaratat e djeshme të Trump, janë cilësuar gjerësisht si të pabaza.”
Po ashtu, sipas gazetares, ka zëra nga stafi i presidentit se ai po mundohet të krijojë situatën se po largohet duke i bërë një grusht shteti. Po ashtu, sipas saj, mes republikanëve është krijuar bindja se Trump po rrënon imazhin e partisë si pasojë e një sërë ngjarjesh të pashembullta që po ndodhin këto presidenciale në SHBA.
Duke u kthyer tek rezultati final, Dorina Kurtaj, shprehet se duke gjykuar nga masat mbrojtëse në rezidencën e Joe Biden, për çështje orësh ai mund të mbajë fjalimin si presidenti i ri i SHBA.
“Trump ka hyrë tashmë në një fazë vetizolimi, gjendet i vetëm dhe nuk e pranon humbjen.” s.b/abcnews.al/