Nga Starova te Canaj: Të gjithë do vuajnë me Kastriotin, Partizani nuk krijoi asnjë rast

schedule23:46 - 5 Nëntor, 2020

schedule 23:46 - 5 Nëntor, 2020

Kastrioti-Partizani u mbyll me fitoren 2-1 të ekipit krutan, teksa Ilir Daja e nisi me humbje sezonin e ri të Superiores në krye të “Demave”. Dy trajnerët e njohur, Sulejman Starova dhe Agim Canaj, analizojnë në emisionin “Pressing” në ABC News takimin e luajtur në stadiumin e Kamzës.

STAROVA – “Kastrioti m’u duk sikur ishte edhe vjet në Superiore, luajtën me një devotshmëri fantastike dhe arriti një fitore të merituar. Nuk ishte fundi i botës që humbi Partizani, do të vuajnë edhe skuadrat e tjera me Kastriotin. Të gjithë skuadrat janë të mira, prandaj them që ka shumë skuadra që do të luftojnë për qëndrimin në kategori.

Kastrioti ka meritë që mundi një skuadër të mirë. Formacionin e ka shumë të mirë Partizani, pjesën ofensive ia kanë zili, edhe pse nuk ka mundur të dublojë pozicionet. Teuta, Partizani dhe Kukësi, këtë javë që vjen, janë në provë për të treguar nëse do të jenë pretendentë. Nuk kanë rëndësi pikët, ne i kemi vendosur disa pretendente në letër, por këta tre ekipe janë në gjendje psikologjike jo të rregullt. Jemi kuriozë të shohim se çfarë do të ndodhë”.

CANAJ – “Kastrioti mori një fitore të rëndësishme dhe merr më shumë vlera kur fitohet në fushë asnjanëse. Kastrioti tregoi që do jetë një skuadër që nuk do të lëngojë. Pashë një grup lojtarësh shumë të mirë, Rezi, Da Silva dhe mbrojtësi i huaj.

Kastrioti luajti mirë në të dy fazat, mbrojtje dhe sulm. Partizani? U lodh nga qarkullimi i topit në fushën e vet, ndërkohë që duhet të depërtonte te fusha e kundërshtarit. Nuk krijuan asnjë rast të pastër, lanë hapësira edhe në mbrojtje. Ky Partizan nuk më la ndjesinë e asaj skuadre që mund të bëjë mirë“. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!