Vuçiç për takimin me Thaçin: Nëse janë të vërteta qëndrimet, nuk shkoj në Bruksel

schedule13:48 - 21 Qershor, 2018

schedule 13:48 - 21 Qershor, 2018

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është nervozuar nga deklarata e homologut të tij kosovar Hashim Thaçi se çështja e demarkacionit mes dy vendeve do të diskutohet në Bruksel. Vuçiç thotë se nëse ky është qëndrimi i shqiptarëve atëherë ai nuk ka pse të shkojë në Bruksel.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, vijon të komentojë takimin me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, që pritet të zhvillohet të dielën në Bruksel me rastin e vazhdimit të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Kreu I shtetit shprehet se Serbia është e gatshme të bisedojë për kompromise, por jo edhe të pranojë çfarëdo presioni. Gjatë një prononcimi për shtyp, Vuçiç njoftoi se ka kontaktuar me zyrtarë të Brukselit të cilëve u ka thënë se do të ishte më mirë të mos shkojë të dielën atje për të vazhduar dialogun me përfaqësuesit e Prishtinës.

“Nëse shqiptarët kanë pikëpamje të tilla si ato që janë dëgjuar në ditët e kaluara nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nga nënkryetari i i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, Zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dhe të tjerë, atëherë nuk kam pse shkoj në Bruksel dhe të humbas kohë”, nënvizoi Vuçiç i cili pretendon se zyrtarët e BE-së i janë lutur që të shkojë në takim me Thaçin.

“Nëse mendoni se mund të me detyroni t’i dëgjoj dhe shërbej Haradinajt, Hotit dhe Hoxhajt, mos më thirrni”, ka shtuar presidenti serb. Ai ka thënë para gazetarëve se nuk i frikësohet presionit të perëndimit. “Keni gjetur personin e gabuar për t’i bërë presion. Nëse jeni të gatshëm të bisedojmë për kompromise, jemi të gatshëm”, vijon kreu I shtetit serb. Vuçiç shtoi se nuk është problem për të që të fliste me politikanët e Kosovës, dhe theksoi se nuk ishte i mahnitur nga idetë siç i quajti ai të zgjuara të disa shqiptarëve. Ndërkohë, të mërkurën, presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi bëri me dije se çështja e kufirit me Serbinë ishte ndër temat e diskutimit të takimit të së dielës. Por ky fakt e ka nervozuar presidentin serb, i cili pretendon akoma që mes dy vendeve nuk ka kufij pasi sipas tij Kosova është tokë serbe. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!