E ardhmja e Leo Messit te Barça është në dyshime të mëdha, që nga burofaxi i famshëm, që “Pleshti” i dërgoi klubit më verë për tu larguar. Ishte shumë pranë ikjes në merkaton e shkuar, por ish-presidneti Bartomeu këmbënguli dhe Leo nuk deshi të largohej në mënyrë të papërshtatshme nga klubi ku u rrit.
Kështu, ai qëndroi edhe për këtë sezon dhe që nga janari mund të zgjedhë klubin e tij të ri sepse kontrata përfundon verën e ardhshme. Nëse nuk qëndron te Barça, “Pleshtin” të gjitha rrugët e çojnë te Manchester City. Klubi anglez ka të gjitha financat e mundshme për të mbajtur në ekip një lojtar si Messi. Nga Anglia raportohet se sheikët kanë gati parakontratën për kapitenin e Barçës.
Kanë një ekip, që është gati t’i shërbejë argjentinasit dhe ç’është më e rëndësishmja, kanë Pep Guardiolan. Gjeniu spanjoll dhe Messi së bashku kanë shkruar histori te Barça dhe do të ishin gati ta bënin këtë edhe te Manchester City. Qëllimi është Champions League dhe ardhja e Messit do e afronte shumë nënkampionen e Anglisë me këtë trofe. /abcnews.al