Disa ora para zgjedhjeve: Trump dhe Biden apel votuesve në shtetet kryesore

schedule09:45 - 3 Nëntor, 2020

schedule 09:45 - 3 Nëntor, 2020

Me pjesëmarrjen e hershme të votuesve duke vendosur një rekord, presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe kandidati demokrat Joe Biden morën pjesë në ditën e fundit të fushatës të hënën në shtetet që pritet të vendosin se kush fiton.

Më shumë se 95 milion njerëz kanë votuar tashmë, sipas një rezultati nga Projekti Zgjedhor i SH.B.A.-së në Universitetin e Floridës, dhe mund të duhet më shumë kohë se zakonisht që zyrtarët e zgjedhjeve të përpunojnë rezultatin e zgjedhjeve.

Në ditën e tij të fundit të fushatës në përpjekje për të bindur votuesit që ta zgjedhin edhe për katër vite të tjera në postin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se në mandatin e tij të dytë, “do të shpëtojë ëndrrën amerikane”.

Të dy kanë këmbëngulur se ata janë drejt fitores, megjithëse opsionet e Biden për marrjen e 270 votave të kolegjit elektoral janë më të shumta.

Në Karolinën e Veriut, presidenti  vuri theksin tek një rimëkëmbje ekonomike mes pandemisë së koronavirusit, duke premtuar “se do të shpërndajmë në masë vaksinën brenda disa javësh”.

Zyrtarët shëndetësorë, përfshirë ata të administratës së Presidentit, parashikojnë që shumica e amerikanëve nuk ka gjasa të marrë vaksinën para fillimit ose mesit të vitit 2021.

Trump, tha se rivali i tij, ish-nënpresidenti Joe Biden, nëse zgjidhet, “do ta kthejë Amerikën në një shtet-burg” përmes mbylljeve për të luftuar virusin.

Biden tha të hënën në Klivlend të Ohajos, se “hapi i parë për të mposhtur virusin është fitorja ndaj Donald Trump-it”.

Pandemia ka lënë në hije çështje të tjera në fushatën presidenciale, ndërsa rastet e COVID-19 janë rritur javët e fundit në shumë nga shtetet që pritet të përcaktojnë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale.

Koronavirusi ka shkaktuar 231 mijë viktima dhe ka infektuar më shumë se 9.2 milionë persona në Shtetet e Bashkuara, sipas Universitetit Johns Hopkins.

Biden zhvilloi fushata të hënën në dy shtete fqinje që janë vendimtare, Ohajo dhe Pensilvani.

“Nuk duam më kaos, postime në Twitter, zemërim,” tha Biden për Trump në tubimin e mesditës në Klivlend.

Sondazhet në shkallë kombëtare tregojnë se ish-nënpresidenti ka një epërsi prej 8 % por diferenca është shumë më e vogël në shtetet e pavendosura që do të përcaktojnë fituesin.

Vendi i përbashkët i të dy kandidatëve është Pensilvania, një shtet lindor i Shteteve të Bashkuara ku Biden ka pasur epërsi në sondazhet e fundit, por vend në të cilin Trump fitoi në vitin 2016. Fituesi i Pensilvanisë siguron 20 nga 270 votat elektorale që i duhen një kandidati për të fituar një mandat katër vjeçar në Shtëpinë e Bardhë.

Trump të hënën mbajti një tubim në Aeroportin Ndërkombëtar Wilkes-Barre Scranton, ndërsa  Biden iu drejtua mbështetësve në Pittsburgh.

Presidenti e ka përfunduar  fushatën e tij me një tubim në mbrëmje vonë në Grand Rapids, Michigan, një përsëritje e finales së tij në vitin 2016 në një shtet që Hillary Clinton ishte parashikuar ta fitonte.

Trump përsëriti të hënën dëshirën për të mësuar rezultatin e zgjedhjeve deri të martën vonë. Ai përsëri kritikoi Gjykatën e Lartë të Shteteve të Bashkuara që lejoi Pensilvaninë të numëronte fletët e votimit në mungesë deri të premten, për sa kohë që ato janë postuar deri të martën, më 3 nëntor.

Ky vendim “e vë vendin tonë në rrezik”, tha presidenti në Karolinën e Veriut. “Jam i lodhur nga këto vendime të tmerrshme politike që po merren” nga gjykatësit, tha ai.

Gjatë ndalesave të shumta të fushatës të dielën, zoti Trump, pa prova, tha se mendonte “se mund të ndodhin shumë mashtrime dhe manipulime” me fletëvotimet me postë.

Ai sinjalizoi se fushata e tij po përgatit sfida ligjore për numërimin e fletëve të tilla të votimit në Pensilvani.

“Atë natë sapo zgjedhjet të kenë përfunduar, ne do të veprojmë përmes juristëve tanë,” u tha  Trump gazetarëve të dielën.

Drejtori i Byrosë Federale të Hetimit Christopher Way u tha ligjvënësve në shtator se SHBA nuk ka parë “asnjë lloj përpjekjeje të koordinuar kombëtare për manipulim votash ndonjëherë në  zgjedhje të mëdha, qoftë me postë apo jo”.

Trump mohoi njoftimet e medias se ai u ka thënë njerëzve të tij të afërt se do të deklarojë fitoren natën e zgjedhjeve edhe nëse rezultati i Kolegjit Elektoral është ende i paqartë.

Biden komentoi mbi këtë njoftim në fushatën e tij të dielën në Filadelfia.

“Presidenti nuk do t’i vjedhë këto zgjedhje,” tha ish-nënpresidenti.

Rezultatet nuk pritet të shpallen zyrtarisht për disa javë nga dita e zgjedhjeve. Afatet ndryshojnë nga shteti në shtet. Disa pritet t’i bëjnë ato të ditura brenda një jave, por shumë prej tyre duhet të presin për shpalljen e rezultateve përfundimtare deri në fund të nëntorit apo në fillim të muajit dhjetor.

Prej shumë vitesh, fituesi ka qenë i qartë para shpalljes së rezultateve zyrtare për shkak të parashikimeve të bëra nga organizatat mediatike bazuar në të dhënat nga zonat e votimit. Këtë vit një numër rekord amerikanësh kanë votuar paraprakisht, afro 100 milionë deri të hënën në mbrëmje dhe në kushtet kur shumë prej votave janë hedhur me postë për shkak të shqetësimeve të lidhura me koronavirusin, numërimi në disa shtete mund të jetë më i ngadaltë se zakonisht. s.ba/abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!